Fondi Monetar Ndërkombëtar ka zyrtarizuar paketën e kredisë për qeverinë shqiptare, e cila do të kapë shifrën e 457,1 milionë dollarë.

Përmes një njoftimi zyrtar, FMN bëri të ditur se kredia do të përdoret për të mbështetur programin e reformave të autoriteteve. Zyrtarizimi i kredisë i hap rrugën disbursimit të menjëhershëm të një fondi prej 36,4 milionë dollarësh.

Sipas njoftimit, pritet që edhe Banka Botërore, por dhe Bashkimi Europian, të ofrojnë një asistencë të ngjashme financiare për qeverinë.

Pas zyrtarizimit të kredisë, David Lipton, zv-drejtori i Përgjithshëm i FMN-së, u shpreh se ekonomia shqiptare pritet të përmirësohet në 2014-n, e ndimuar nga reduktimi i planifikuar i risqeve në sferën fiskale, shlyerja e detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit, masat për kreditë e këqija, por edhe lançimi i reformave strukturore.

Megjithatë, FMN vëren se rreziqet janë domethënëse dhe nevojat financiare të Shqipërisë janë të mëdha. Kredia, sipas Fondit, do të ndihmojë Shqipërinë të përmbushë nevojat e saj për financim të jashtëm dhe paralelisht siguron mbështetjen e nevojshme për të forcuar qëndrueshmërinë e borxhit publik, duke e vendosur ekonominë në një trajektore të qendrueshme rritjeje.

“Borxhi i lartë publik i Shqipërisë imponon konsolidim fiskal, për ta sjellë atë poshtë nivelit 60% në periudhë afatmesme”, thotë FMN. “Kjo, – vijon Fondi, – do të kërkojë masa si në krahun e shpenzimeve, ashtu edhe në atë të taksave.

Ulja e borxheve të prapambetura dhe vendosja e mekanizmave, për të parandaluar krijimin e tyre në të ardhmen, është kritike. Po kështu, ruajtja e stabilitetit financiar, duke nxitur kreditimin e ekonomisë, konsiderohet si një tjetër masë e domosdoshme, e cila kërkon pikë së pari – sipas FMN – reduktimin e kredive të këqija.

Në fund, bordi i drejtorëve të FMN-së thekson se planet e autoriteteve për të reformuar sistemin e pensioneve, sektorin energjitik, administratën publike dhe klimën e biznesit, janë të mirëpritura.

Sipas FMN, nëse do të zbatohen siç duhen, këto reforma do të fuqizojnë aftësinë e Shqipërisë për të thithur investimet e huaja dhe do përmirësojnë perspektivën e ekonomisë shqiptare për një rritje të qëndrueshme në periudhën afatmesme.

Qeveria shqiptare vlerëson se do të tërheqë rreth 120 milionë dollarë këtë vit, nga kredia e FMN, që do të përdoren për të shlyer pagesat e prapambetura të programuara për këtë vit.

Top Channel