Ulja e normës bazë të interesit

27/02/2014 00:00

Ekspertët janë skeptikë për lëvizjen e fundit të Bankës së Shqipërisë
që e uli normën bazë të interesit në minimumin e ri historik, 2.75 për
qind.

“Ulja e normës së parasë mund të japë një efekt në lehtësimin e borxhit të Qeverisë, por ne shikojmë që në realitetin ekonomik shqiptar nuk ka arritur të japë impaktin tek ekonomia reale”, thotë eksperti Arben Malaj.

Madje, Selami Xhepa thotë se ulja e normës në këto nivele po bëhet e rrezikshme për ekonominë.

“Praktikisht normat e interesit në ekonomi, në terma realë po bëhen drejt zeros, duke patur parasysh zhvlerësimet e parasë për shkak të inflacionit. Kështu që në këto rrethana kam përshtypjen që është çështje e debatueshme, nëse kjo lëvizje është pozitive apo jo. Nga një anë dekurajon ndjeshëm qytetarët dhe kursimtarët dhe nga ana tjetër është e dyshueshme edhe për faktin nëse mund të nxisë kredinë në ekonomi apo jo”, tha Xhepa.

Dy vitet e fundit norma bazë e interesit është përgjysmuar. Por kredia për ekonominë jo vetëm që nuk u rrit, por përkundrazi vazhdon të bjerë. Xhepa thotë se në këto kushte janë faktorë të tjerë ata që duhet zgjidhur, veçanërisht marrëdhëniet e biznesit me bankat, por edhe qartësimi afatgjatë i politikës monetare.

“Më kryesorja është masa lehtësuese kuantitative më shumë se sa faktori çmim, pra duke mbështetur sistemin bankar me masa të drejtpërdrejta, ose nëse mendohet për normën e interesit, dhënia e në vizioni më afatgjatë për normën e interesit, pra kjo do të ishte ndoshta një masë më lehtësuese sa ndryshimet e shpeshta, të cilat në vend që të përcjellin mesazh inkurajimi, përcjellin mesazh dyshimesh në tregje dhe skepticizëm”, tha Xhepa.

Ndërsa Arben Malaj, e vë theksin tek reformat e tjera që prekin ekonominë reale dhe përmirësojnë klimën e biznesit.

“Qoftë ato që ne i quajmë reforma strukturore, por qoftë edhe veprimet konkrete në zbatimin e shpejtë të buxhetit në shtyrjen e borxheve të këqija, ne i kemi barriera administrative për ta filluar apo për ta mbyllur një biznes, në zgjerimin e mundësisë të kujtdo që ka mundësi të investojë apo konsumojë më shumë, në mënyrë që ekonomia të ushqehet dhe pa këtë do të jetë e vështirë që ne të mund ta ndihmojmë ekonominë tonë të arrijë ato objektiva për të cilat është e domosdoshme”, tha Malaj.

Si asnjëherë më parë prej dy vitesh, Banka Qendrore e ka vendosur politikën monetare në një trajektore lehtësuese, duke i çuar normat e interesit në nivele të patestuara ndonjeherë për tregun.
 

Top Channel