Kerry: Ukraina, jo kokë turku

26/02/2014 00:00

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka bërë të ditur se Ukraina nuk duhet të përfshihet në betejën mes Lindjes dhe Perëndimit. Kjo nuk është lojë me shumë zero nga pas, për përfitime, tha Kerry, teksa bëri thirrje ndaj të gjitha kombeve të punojnë së bashku për të rivendosur stabilitetin në Ukrainë.

Administrata e re në Kiev po përballet vazhdimisht me kundërshtimin e rajoneve rusisht-folëse të Ukrainës. Rusia, e cila mbështet presidentin e rrëzuar, Viktor Yanukovych, ka paralajmëruar shtetet e huaja perëndimore kundër sigurimit të “avantazheve të njëanshme” në Ukrainë.

Gjithsesi, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se “politika e mos-ndërhyrjes” së Rusisë do të vazhdojë. Të martën, Kerry u takua me homologun e tij britanik, Sekretarin për marrëdhëniet me Jashtë të Mbretërisë së Bashkuar, William Hague, në Uashington, për të biseduar mbi situatën në Ukrainë.

“Të dy jemi të angazhuar për të bërë pjesën tonë në mbështetje të përpjekjeve të popullit ukrainas, të cilët kanë thënë fjalën e tyre me pasion, si dhe kanë treguar aftësitë për të pasur një të ardhme demokratike”, tha Kerry pas takimit.

“Kjo nuk është një lojë me shumë zero, nuk është as një betejë e Perëndimit kundër Lindjes. S’ka të bëjë me rivalitetin Rusi-SHBA, por gjithçka bëhet për Ukrainën dhe ukrainasit, të cilët kërkojnë të bëjnë zgjedhjen e tyre për të ardhmen, ndaj dhe duam të punojmë me Rusinë dhe vendet e tjera, cilido që do të jetë i disponueshëm, për të siguruar se ky proces do të jetë paqësor nga ky moment e në vazhdim”.

Më herët, presidenti i përkohshëm i Ukrainës, Olexander Turchynov, shprehu shqetësimin në lidhje me atë, që ai e quajti kërcënim serioz për ndarjen e vendit, pas rrëzimit të Yanukovych. Duke folur në Parlament, ai tha se do të takohej me agjencitë e zbatimit të ligjit, për të diskutuar rreth rrezikut të ndarjes së rajoneve me shumicë të theksuar të etnisë ruse. Separatizmi është një “kërcënim serioz”, tha ai.

Shumë rezidentë rusisht-folës në jug dhe në lindje të Ukrainës kanë protestuar kundër veprimeve të autoriteteve të përkohshme. Në qytetin-port të Krimesë, Sevastopol, gjatë së martës, disa persona ndërruan flamurin ukrainas në ndërtesat e pushtetit lokal me flamurin rus, ndërkohë që është vënë re një prezencë e shtuar e luftanijeve dhe autoblindave rusë, lëvizje që rrezikojnë përsëritjen e skenarit gjeorgjian me Osetinë Jugore.

Ndërkaq, Parlamenti në Kiev shtyu krijimin e një qeverie uniteti deri ditën e enjte, në mënyrë që të lejohej koha e nevojshme për konsultime të tjera, siç tha Turchynov, i cili theksoi se “duhet zgjedhur një qeveri e besimit kombëtar”.

***

Autoblinda ruse kanë mbërritur në sheshin “Nakhimov”, në qendrën e Sevastopolit, në Krime, ku ndodhet baza e flotës ruse në Detin e Zi. Luftanije të Moskës po lëvizin në rajon, teksa Kremlini vazhdon të refuzojë njohjen e administratës së përkohshme në Kiev.

Më të qarta janë raportet e zhvendosjes së aeroplanmbajtëses “Nikolai Filchenkov”, me të paktën 200 ushtarë në bord. Katër anije të tjera, me një numër të pazbardhur forcash speciale, nisën lundrimin nga porti rus i Anapa-s drejt Sevastopolit.

Oleh Tyahnybok, lider i partisë nacionaliste “Svoboda”, garanton se ka provat e lëvizjeve të Kremlinit, të cilat sjellin erë lufte. “Ju tregoj mesazhet telefonike”, thotë ai, duke cituar burime të sigurta nga Krimea, për informacionet që disponon.

Mbërritja e “Nikolai Filchenkov”-it në portin e Temryuk-ut parashikohej në orën 12:00, me 200 ushtarë të armatosur, ndërsa 328 marinsë janë të stacionuar në port, bashkë me 10 transportues të blinduar. Në total, baza ruse e Sevastopolit strehon rreth 26,000 ushtarë. Krimea shtrihet në bregun verior të Detit të zi dhe 60% e popullsisë së saj janë të regjistruar si rusë etnikë.

Pikërisht për mbrojtjen e tyre dhe të reparteve të veta ushtarake në rajon, Moska paralajmëroi më herët se është gati të hyjë në luftë. “Nëse Ukraina ndahet do të plasë konflikti dhe të parën do të humbasin Krimenë, sepse nuk kemi ndërmend ta lëshojmë, por do ta mbrojmë ashtu siç bëmë me Gjeorgjinë, pohoi më herët një zyrtar rus për “Financial Times”.

Skenarin e një përsëritjeje të krizës gjeorgjiane e profezitojnë mjaft ekspertë, të cilët shohin ngjashmëri mes situatës së Ukrainës dhe asaj në Gjeorgjinë e 2008-s, kur mësymjes së Tblisit në Osetinë Jugore me prirje separatiste, Moska iu përgjigj me trupa ushtarake e tanke.

Gjatë ofensivës së saj 5-ditore humbën jetën mbi 150 vetë. Sipas censusit të vitit 2001, 17,3% e popullsisë së Ukrainës e identifikon veten si ruse dhe kryesisht është e vendosur në zonat lindore e jugore të vendit.

Në rajonet qendrore dhe perëndimore, përqindja e popullatës ruse është më e lartë në qytete dhe qendra industriale, e më e ulët në zonat rurale. Pikërisht për këtë fakt dhe për arsye historike, pjesa dërrmuese e qyteteve të mëdha, përfshirë këtu Kievin, kanë edhe sot e kësaj dite një tërheqje jo të vogël ndaj Moskës.

Top Channel