Certifikimi i hoteleve turistike

25/02/2014 00:00

Cilesia e shërbimi në zonat turistike në vend vijon të mbetet një nga
problemet kryesore me të cilat përballet turizmi shqiptar.

Për të përmirësuar nivelin e këtij shërbimi me qëllim afrimin e sa më shumë turistëve, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit do të nisë licencimin dhe certifikimin e hotelierisë apo operatorëve të tjerë që veprojnë në këtë sektor.

“Duke vlerësuar shumë peizazhin, duke vlerësuar trashëgiminë kulturore, mikpritjen edhe kuzhinën shqiptare herë pas here turistët kanë pasur vërejtje për cilësinë e shërbimit. Me ndryshimet ligjore që kemi filluar dhe kemi përgatitur draftin e parë, i cili po diskutohet me grupet e interesit, duam që të rrisim konkurrueshmërinë në turizëm, të rrisim standardet duke vënë klasifikimin, licensimin dhe certifikimin e operatorëve që veprojnë në fushën e turizmit”, tha ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni.

Ligji për Turizmin pritet të kalojë në Parlament brenda muajit qershor. Paralelisht me përmirësimin e shërbimit turistik, kjo ministri synon të zgjidhë problemin e mungesës së guidave turistike të certifikuara në vend. Ministrja Gjermeni lancoi projektin pilot për zhvillimin e kursit të trajnimit për grupin e parë të guidave turistike e që do të realizohet në bashkëpunim me Qendrën për Edukim Ekonomik dhe Biznes.

Top Channel