Rënie drastike e fitimit të biznesit

24/02/2014 00:00

Të dhënat zyrtare tregojnë se kriza ka goditur fort fitimet e bizneseve duke i ulur ato në nivelet më të ulëta historike. Në anketën e fundit mbi ndërmarrjet Instituti i Statistikave thotë se
fitimi total i bizneseve u tkurr nga 118 miliardë lekë që ishte në vitin
2009 në 96.6 miliardë lekë në fund të 2012-ës.

Në vlerë, rënia është 18.1 për qind, por në terma realë shifra është edhe më e lartë për shkak të efekteve që vijnë nga inflacioni. Rënia e fitimeve përveçse ka dobësuar biznesin ka krijuar një tjetër ngërç, që prek gjithë ekonominë.

Shifrat tregojnë se me këto norma fitimi, bizneset e kanë të pamundur të zgjerojnë aktivitetin apo të kryejnë investime të reja, përmes kredisë. Kjo pasi normat e fitimeve nuk i justifikojnë interesat e lartë.

Sipas INSTAT, në vitin 2012 norma mesatare e fitimit për bizneset ishte sa 6.7 për qind e shpenzimeve totale. Kjo do të thotë se për cdo 100 lekë të investuar biznesi fiton 6.7 lekë.

Por nëse ky investim financohet me kredi, të njëjtit biznes do t’i duhej të paguante sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, një interes deri në 30 për qind më të lartë. Konflikti mes normave të larta të interesit dhe fitimeve të ulëta, ishte një nga efektet e para të krizës edhe në vendet e zhvilluara.

Kjo i detyroi bankat qendrore në SHBA dhe Europë të ndërmerrnin politika agresive për të ulur koston e parasë në treg duke i çuar interesat deri edhe ne nivele afër zeros. Banka e Shqipëria ka ndjekur gjithashtu një kurs të ngjashëm, duke e ulur fort normën bazë deri në minimumin historik 3 për qind.

Por sërish, kjo nuk është përcjellë tek interesat e kredive, kostoja e lartë e të cilave e kombinuar me rënien e fitimeve të biznesit frenon investimet e reja duke goditur rritjen ekonomike dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Top Channel