Peshkimi kërkon lehtësira fiskale

24/02/2014 00:00

Shoqata e Prodhuesve të Peshkimit kërkon heqjen e taksës së qarkullimit
dhe asaj të mjedisit, të cilat rrisin koston e furnizimit me naftë për
këtë sektor.

Në një seancë dëgjimore me deputetë të Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, ata thanë se për shkak të çmimit të lartë, furnizimi me karburant kryhet në shtetet fqinje si Mal të Zi, kundrejt çmimit të bursës prej 0.6 eurosh.

“Vjen nafta në magazinat doganore tek grosistët e mëdhenj. Blihet nga grosistët malazezë dhe qesharake është që flota jonë shkon e merr në Mal të Zi, e merr më lirë se mund të furnizohej në magazinat grosiste këtu. Sot nëqoftëse do ta blinim në Shqipëri me këto taksa, do ta blinim 135 lekë të reja. Në rast se do të hiqeshin këto taksa dhe do të funksiononte skema, do të zbriste çmimi 100 lekë për litër”, thotë Gjergj Luca, nga Shoqata Shqiptare e Prodhuesve të Peshkut.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga prodhuesit e peshkimit është mungesa e markatave, si një element i rëndësishëm për formalizimin e sektorit. Por sipas tyre, me gjithe premtimet e bera asnjëherë nuk eshte realizuar kjo gje.

Për ish-ministrin e Bujqësisë Genc Ruli, ndihma e shtetit është jetike për këtë sektor dhe duhet të nisë nga rakordimi mes doganave dhe tatimeve për rimbursimin e akcizës së naftës.

“Ka funksionuar pjesërisht skema e rimbursimit të akcizës, moskoordinimi mes tatimeve dhe doganave ua bllokoi komplet. Të paktën duke filluar që nga viti që vjen, të kemi politika dhe programe konkrete mbështetje. Ndërsa brenda këtij viti mund të rregullohen shumë nga problemet, sidomos në këtë përplasje institucionale që ndodhi midis tatimeve dhe doganave përsa i përket përftimit të rimbursimit të akcizës”, tha Ruli.

Top Channel