Konferenca e BERZH për investimet

24/02/2014 00:00

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim organizoi në Londër një forum
të nivelit të lartë me qëllim intensifikimin e investimeve në Ballkanin
Perëndimor.

Të gjithë kryeministrat e rajonit parashtruan potencialet që ofrojnë vendet e tyre në fushën e investimeve.
Kryeministri Edi Rama e përqendroi fjalën e tij në hapat e ndërmarra nga Qeveria shqiptare, në krijimin e një klime të përshtatshme biznesi, jo vetëm për investitorët vendas, por edhe ata të huaj.

“Ka një hendek të  pashpjegueshëm mes ekonomive të vendeve  të rajonit i cili duhet të ndryshojë. Potencialet e Shqipërisë në turizëm, bujqësi dhe energjetikë janë të mëdha. Për Shqipërinë  rritja e qëndrueshme e ekonomisë dhe punësimi mbetet ende sfidë. Jemi të vetëdijshëm për problemet e kaluara, por ato jo vetëm nuk do të ndodhin por  ne jemi duke u përpjekur në strukturimin e ligjeve të nevojshme për të mos e lejuar më ngjalljen e problematikave. Profili ekonomik i vendit për 20 vitet e ardhshme, ka nisur tashmë dhe se hapi i parë ndaj kësaj faqeje të re është hapja ndaj biznesit të huaj dhe atij në vend.Qeveria është duke bërë një luftë të madhe  kundër krimit e korrupsionit gjë e cila do të sjellë përmirësime të mëdha në ekonomi. Duam të arrijmë standardet  evropiane me ndërtimet në infrastrukture.Ftoj të gjithë investitorët të vijnë dhe të shikojnë mundësitë në Shqipëri. Siguroj të gjithë investitorët se Qeveria do të jetë në mbështetje të tyre dhe për këtë ne do të synojmë të përmirësojmë modelin e privatizimit”, tha Rama.

Ndërsa, Kryeministri Kosovës Hashim Thaçi u shpreh se vendi i tij, ka vazhduar progresin si një vend demokratik dhe se vitet e fundit ekonomia e Kosovës ka pësuar rritje.

Kryeministri Thaçi theksoi se në vitet e kaluara qeveria ka ndërmarrë disa projekte të mëdha në infrastrukture kjo ka bërë që investitorëve të huaj t’u ofrohen kushte më të mira.

“Për herë të parë në histori jemi 7 kryeministra që po flasim në një forum për mundësitë investive në rajon. Kosova ka shumë të ofrojë në miniera, energjetikë, bujqësi dhe tani pas fillimit të normalizimit të marrëdhënieve fqinjësore, edhe investitorët ndihen më të sigurt në peizazhin tonë politik dhe ligjor. Misioni im i ri është të korrim dividenda maksimale ekonomike nga puna që kemi bërë në stabilizim të situatës dhe shtetndërtim të suksesshëm”, u shpreh Thaçi.

“Përmirësim i dialogut me biznesin dhe luftën kundër korrupsionit”

Qeveria shqiptare dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim kanë nënshkruar një memorandum të përbashkët mirëkuptimi, i cili synon të rigjallërojë reformat ekonomike të vendit.

Përmes një njoftimi për shtyp, BERZH bën të ditur se nën këtë mekmorandum të dy palët janë angazhohen të përdorin një sërë instrumentesh për të përmirësuar dialogun mes biznesit dhe administratës, për të nxitur investimet e huaja dhe ato të brendshme në ekonomi.

Memorandumi synon forcimin e kuadrit ligjor, luftën ndaj korrupsionit dhe  rritjen e transparencës së korporatave, por edhe sektorit bankar. BERZH ka marrë përsipër që të ndihmojë Qeverinë në ngritjen e Këshillit të Investimeve, i cili do të përbëhet nga biznesmenë dhe zyrtar. Qëllimi kryesor i këtij instituciooni do të jetë asistenca për Këshillin Ekonomik Kombëtar, i ngritur nga Qeveria për të lehtësuar zhvillimin e sektorit privat, forcimin e bizneseve dhe klimës së investimeve. Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, kryeministri Rama u shpreh se përmes këtij momorandumi hidhet një hap madhor përpara për të çliruar potencialet ekonomike të vendit.
Ndërsa presidenti i BERZH ka dashur të përgëzojë autoritetet shqiptare për për kurajon dhe vendosmërinë për t’u përballur me sfidat që ka vendi duke e quajtur atë si një shembull për rajonin.

Top Channel