Të ardhurat, 2.2 % mbi planin

22/02/2014 00:00

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se Qeveria e tejkaloi me 2.2 për qind planin e të ardhurave në janar.

Sipas të dhënave në muajin e parë të vitit, buxheti arkëtoi në total 27 miliardë e 282 milionë lekë ose rreth 580 milionë lekë më shumë se niveli i programuar.

Por krahasuar me të njëtën periudhë të një viti më parë, të ardhurat janë 1.4 për qind më të ulëta, edhe pse që nga një janari ka hyrë në fuqi paketa e re, që e rrit barrën fiskale. Shifrat tregojnë se tejkalimi i planit ka ardhur kryesisht nga të ardhurat jotatimore dhe ndihmat nga jashtë, të cilat ishin rreth 900 milionë lekë më shumë se niveli i programuar.

Ndërsa të ardhurat tatimore, ato me karakter të qëndrueshëm për buxhetin ishin më të ulëta se plani, por edhe se viti i kaluar. Sipas zërave, se ecurinë më të mirë e ka patur tatimi mbi vlerën e shtuar. Në janar administrata tatimore dhe ajo doganore kanë arritur të mbledhin rreth 1.1 miliardë lekë më shumë tatim mbi vlerën e shtuar se sa një vit më parë, me një rritje prej 13.8 për qind.

Ndërsa akciza dhe tatimi mbi fitimin ishin përkatësisht 36.4 për qind dhe 25.3 për qind më të ulëta se një vit më parë.  Për akcizën rënia është e lidhur me përqëndrimin e zhdoganimeve në dhjetor vecanërisht për karburantet dhe cigaret për shkak të rritjes së paralajmëruar të takasave. Ndërsa rënia e tatimit mbi fitimin sipas burimeve nga ministria e financave shpjegohet me faktin se bizneset kanë parapaguar më shuëm gjatë muajve të kaluar.

Në kahun tjetër të buxhetit, atë të shpenzimeve shifrat tregojnë një pamje të ndryshme. Qeveria ka qenë e përmbajtur duke shpenzuar 3.5 miliardë lekë më spak se niveli i programuar në janar, ku peshën kryesore e kanë investimet. Sipas të dhënave, investimet publike për muajin e kaluar ishin 678 milionë lekë në total nga rreth 2.2 miliardë të programuara dhe të gjitha kanë qenë me burime të huaja financimi. Në total për buxhetin e 2014-s Qeveria parashikon të mbledhë rreth 40 miliardë lekë më shumë të ardhura se një vit më parë, çka siç tregojnë dhe shifrat e janarit do të mbetet një test i vështirë, në kushtet kur financat publike të vendit që nga 2009 kanë hyrë në një spirale krize.      

Top Channel