Partia Demokratike dhe ajo Socialiste kanë replikuar të shtunën në lidhje me çështjet e rendit dhe sigurisë në vend. Përmes deputetit Arben Ristani, PD deklaroi se bilanci i kriminalitetit në javën që po mbyllet është tragjik dhe akuzoi ministrin Tahiri se nuk merr masa.
“Krimi po shënon rekorde të reja dhe nuk vihet re asnjë masë nga qeveria. Ministrit të Brendshëm i pëlqen të shfaqet me radio në dorë dhe syze të errëta në tarracën e Kryeministrisë për të mbikëqyrur protestën, sikur të ishte inspektori Gaxhet. Zoti ministër, t’i nuk je në dhomën e Playstation-it por je ministër i Brendshëm dhe ke përgjegjësi për situatën e kriminalitetit në vend”, tha Ristani.
Ndërkohë, nga fronti i majtë u përgjigj deputetja Ermonela Felaj e cila theksoi se qeveria është e vendosur të çrrënjosë krimin e instaluar gjatë qeverisjes së djathtë.
“Qeveria është e vendosur të rivendosë rendin, që e la si mos më keq qeveria e Saliut, Lulit dhe Ristanit. Qeveria po e lufton krimin, këtë e tregon edhe arrestimi i sotëm i autorit të krimit të djeshëm. Opozita fatkeqësisht ka zgjedhur të bëjë politikë dhe aleancë me krimin”, deklaroi Felaj.
Top Channel