Sistemi i radarëve vihet në punë

20/02/2014 00:00

Pas më shumë se dy vjetësh, sistemi i radarëve, që bën të mundur vëzhgimin e të gjithë hapësirës detare shqiptare, është rikthyer në funksionim.

Të shtatë radarët e sistemit kanë rinisur të funksionojnë normalisht, falë një investimi prej 45 milionë lekësh.

“Shqipëria nuk siguronte dot ruajtjen e bregdetit të saj prej 3 vitesh dhe shumë më tepër se kaq. Sot është bërë e mundur vendosja në punë e radarëve, të cilët i kanë hapur sytë Shqipërisë dhe kanë rritur sigurinë e saj, të kufirit të saj detar, të qytetarëve të saj, sidomos atyre që jetën dhe veprimtarinë e kanë të lidhur me detin, siç janë peshkatarët, por njëkohësisht kanë rritur sigurinë edhe në raport me fqinjët, në raport me trafiqet. Gjithçka është realizuar brenda një shume, që ishte e paimagjinueshme me qeverisjen e djeshme se do të mund të realizohej, pra me gjysmën e asaj shume të caktuar për t’i rregulluar këto radarë, të cilët prej 3 vjetësh nuk funksiononin dhe nuk u rregulluan kurrë, për arsye që vetëm qeveria e djeshme i di”, u shpreh Mimi Kodheli, ministre e Mbrojtjes.

Ministrja theksoi se rivënia në funksionim e radarëve rrit sigurinë e qytetarëve shqiptarë dhe atyre që punojnë në det, si dhe mundëson goditjen e trafiqeve të paligjshme, ndërkohë që theksoi se paraardhësi i saj dhe vartësit e tij duhet të mbajnë përgjegjësi për situatën e viteve të fundit.

Përmes kësaj qendre, që u ngrit në vitin 2009, bashkëpunojnë një sërë institucionesh për të mirëkoordinuar veprimet për kontrollin e hapësirës detare, goditjen e trafiqeve dhe peshkimit të paligjshëm, mbrojtjen e mjedisit detar, si dhe rritjen e sigurisë gjatë lundrimit në det.

Top Channel