“Reforma territoriale, historike dhe jetike”

18/02/2014 00:00

Kryeministri Edi Rama ndalesën e parë gjatë vizitës në Qarkun e Beratit ia kushtoi inspektimit në zonën hidrokarbure Molisht-Shpirag, ku kompanitë “Royal Dutch Shell” dhe “Petromanas Albania”, janë duke kryer operacionet e kërkimit të hidrokarbureve.

Kryeministri Rama inkurajoi kompanitë të cilat operojnë në këtë sektor duke konfirmuar  gadishmërinë e qeverisë për ta reformuar atë.

“Ne jemi të vetëdijshëm që duhet të bëjmë hapa shumë të shpejtë për të ristrukturuar gjithë sektorin në mënyrë që aktorë të një rëndësi kaq të lartë sa ju jo vetëm që të ndjehen mirë brenda kufirit të zonës, por në gjithë raportet me sektorin, ndërkohë që në këtë vijë paralele, ju duke shpuar dhe nxjerrë, ne duke garantuar rrugën e transparencës do bëjmë të mundur që suksesi jonë të jetë i plotë”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama, gjatë qëndrimit në Berat zhvilloi  vizitë të palajmëruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ku bashkëbisedoi me qyetetarët për cilësinë dhe kushtet e shërbimit që u ofrohet.

“Probleme të mëdha janë trashëguar me situatën e dokumentacionit. Është një katrahurë në të gjitha nivelet. Edhe procesi i regjistrimit dixhital është zhvilluar në mënyrën më katastrofike. Duhet, praktikisht, t’i ngremë të gjitha nga e para”, theksoi Kryeministri. Kreu i Qeverisë shtoi se pavarësisht situatës me dixhitalizimin e regjistrit të pronës, shërbimi dinjitoz për qytetarët nuk duhet të mungojë në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë. “Asgjë nuk na justifikon në raport me njerëzit. Njerëzve duhet t’u japim shërbimin më korrekt të mundshëm në çdo sportel”, tha Rama.

Nga Berati kryeministri bëri këtë koment për reformën territoriale.

“Reforma territoriale është hapi i parë i rëndësishëm, themelor, për të ristrukturuar gjithë funksionimin e shtetit. Reforma territoriale do të na japë mundësi të re, perspektivë të re për shëndetësinë, për transportin, për arsimin, për pastrimin, për trajtimin e mbetjeve, për ujësjellësin, për energjinë. Është një reformë historike dhe jetike, për të ngritur shërbimin në një cilësi të re. Ju e shihni vetë që në këto kushte është e vështirë, sepse është i gjithë sistemi që duhet rindërtuar dhe duhet riorganizuar, flas për gjithë sistemin organizativ të shtetit”, deklaroi Rama.

Pjesë e inspektimve në Berat ishte edhe  Drejtoria e Shëndetit Publik të këtij qarku, nga kyrmienistrit iu parashtruan si probleme imediate furnizimi spitaleve me medikamente dhe në funksionim të aparaturave spitalore. “Këtu ka një emërtesë ku thotë Drejtoria Rajonale e Shëndetësisë, por ‘de facto’ ka vetëm emrin, pasi asnjë funksion nuk ushtron,” – u shpreh një mjek.

“Kemi trashëguar një situatë katastrofike me ilaçet dhe me aparaturat, në të gjithë sistemin e Ministrisë së Shëndetësisë. Aparatura të blera që nuk kanë punuar një ditë, ose që nuk punojnë se kanë mangësi dhe as që nuk janë vënë në punë se janë me probleme, me tenderë skandalozë. Po ashtu me ilaçet. Por të dyja shumë shpejt do t’i vëmë në vijë. Furnizimin me ilaçe e kemi prioritet, po e sistemojmë. Plus që kemi edhe një ulje të çmimeve. Ndërkohë që për aparaturat, po ndërtojmë një skeme të re, të funksionimit dhe të mirëmbajtjes”, deklaroi Rama.

Kryeministri Rama pa nga afër  ecurinë  e punimeve për rikonstruksionin e Bulevardit “Republika” të këtij qyteti, pjesë e projektit BiD, i cili nisi të vihet në zbatim në tetor të vitit 2013.Kryeministri tha se në se realizohet ashtu siç duhet, ideja bazë, – kjo pjesë qytetit mund të shndërrohet në një magnet të fuqishëm për të tërhequr  më shumë vizitorë  e turistë. Ashtu si në fillim, kryeministri e cilësoi një projektin “një dallëndyshe”, por jo të vetme, pasi ka edhe shumë projekte të tjera që po vihen në zbatim.  Jam i bindur që do të funksionoj tha Rama  dhe si “dallëndyshja e parë” ky projekt po sjell tani “dallëndyshe” të tjera sepse është vetëm fillimi që lajmëron pranverën.”

Top Channel