Itali, ditë reflektimi për Napolitano-n

16/02/2014 00:00

E diela ka qenë një ditë reflektimi për presidentin e Republikës së Italisë, Giorgio Napolitano, i cili përfundoi konsultimet me palët politike për krijimin e qeverisë së re.

Ndryshe nga ç’pritej, kreu i shtetit ka vendosur të presë, të paktën deri ditën e hënë, për të ngarkuar sekretarin e Partisë Demokratike, 39-vjeçarin Matteo Renzi, për krijimin e kabinetit të ri.

Pas konsultimeve dolën në pah vështirësi, që ndoshta do t’i duhet të përballojë me formacionin politik të ish-zëvendës/kryeministrit, Angelino Alfano, i cili deklaroi se “nuk jemi të sigurt për një mbyllje të lumtur”, dhe ende nuk ka garanci mbi mbështetjen totale të Silvio Berlusconi-t.

Kriza e fundit politike është një krizë krejtësisht e pazakontë. U shkaktua nga heqja e besimit ndaj ish-kryeministrit Enrico Letta, jo në Parlament, por në gjirin e partisë së tij; është një krizë jashtëparlamentare, që anashkalon tani për tani Parlamentin, i cili gjithsesi do të shprehet më vonë për të miratuar apo jo kryeministrin dhe kabinetin e tij.

Teorikisht, qeveria e re mbështetet në të njëjtën shumicë, që mbante në këmbë atë të mëparshmen. Praktikisht, në ecjen e vendosur të Matteo Renzi-t drejt postit të kryeministrit kanë dalë, që tani, disa pengesa të mëdha e të vogla.

Do të jetë i aftë t’i zgjidhë shpejt? Koha do të tregojë. Aq më shumë që, siç shkruan një prej gazetarëve më prestigjoz, Eugenio Scalfari, “Renzi ka një  virtyt: Është dakord me të gjithë, në mënyrë që të gjithë të jenë dakord me të”.

Top Channel