Falen gjobat, 1 mars-31 gusht 2013

13/02/2014 00:00

Të gjitha gjobat e vëna nga tatimet dhe doganat në periudhën 1 mars deri
në 31 gusht të vitit 2013 do të falen. Ministria e Zhvillimit Ekonomik
ka hartuar një draft të posaçëm, i cili fal dënimet administrative në
formën e gjoba, që i janë vendosur biznesit gjatë fushatës elektorale
deri në formimin e Qeverisë së re.

Drafti i iniciuar dhe firmosur nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj, pritet që javën tjetër të kalojë për miratim në Qeveri, ku do të marrë edhe fuqinë ligjore.

Ministria thotë se nëpërmjet këtij projektligji vihet në vend ligjshmëria, që sipas saj është cënuar nga veprimet abuzive të administratës fiskale ndaj biznesit për presion elektoral. Falja e gjobave të vendosura që pas 1 marsit ishte paralajmëruar gjatë fushatës elektorale nga Kryeministri Rama. Në atë kohë në postin e liderit të opozitës zoti Rama denoncoi publikisht se Qeveria po dyndte xhandarët tatimor për të bërë presion ndaj biznesit dhe se se qeveria e majtë nuk do të njihte asnjë nga ato.

Ende nuk ka shifra zyrtare se sa është totali i dënimeve administrative në formën e gjobave që administrata fiskale ka vendosur ndaj biznesit nga 1 marsi deri në 31 gusht të vitit të kaluar. Por me aktin që pritet të zyrtarizohet shumë shpejt nga Qeveria, bizneset do të çlirohen nga detyrimi për t’i paguar ato.   

Top Channel