Siguracionet, çmimi rekord

12/02/2014 00:00

E mërkura ka qenë një ditë me zhvillime të ngjeshura në tregun e sigurimeve.

Dita nisi me rritjen e fortë të tarifave për siguracionin e detyrueshëm të automjeteve, me rreth 45 përqind, duke arritur nivelin më të lartë historik të shënuar ndonjëherë në tregun e brendshëm.

“Dje jemi njoftuar, plus që ka dalë çmimi edhe në kompjuter. Për makinat nën 1.6 kubikë është 19,800 lek, ndërsa për ato mbi 1,6 kubikë është 209,000 lek. Domethënë nga 14,600 ka shkuar në plot mbi 200,000 lek”, tha Shpëtim Halilaj, agjent sigurimesh.

Konsumatorët e vënë para faktit të kryer u shprehën të revoltuar për këtë rritje të fortë të tarifave për një produkt, të cilin qeveria ua detyron me ligj ta blejnë.

Për këtë çështje, gjatë paradites u prononcua Tomorr Kalaja, deri në atë moment drejtor i Përgjithshëm i kompanisë publike INSIG. Ai tha se këto çmime paraqesin koston reale të sigurimit.

“Kjo do të bëjë të mundur që kompanitë të shlyejnë detyrimet që kanë ndaj konsumatorëve, duke paguar dëmet në kohë, si dhe detyrimet që kanë ndaj byrosë shqiptare të sigurimeve. Në të kundërt, nga do dalin ato parà? Secila kompani duhet të derdhë kontributin e vet. Nëse nuk arrijnë të marrin sasinë e duhur të parave për të shlyer dëmet, kompanitë nuk paguajnë as dëmet e reja, as detyrimet që rrjedhin për byronë. INSIG është detyruar që të ndjekë tregun, si kur ai shkon lart, ashtu edhe kur shkon poshtë. Në të kundërt je jashtë tregut”, tha Tomorr Kalaja, ish-drejtor i Përgjithshëm i INSIG.

Shkarkohet drejtori i INSIG
“Papërgjegjshmëri në marrjen e vendimit për rritjen e tarifave për sigurimin”

Por pasdite vonë, Ministria e Financave dhe bordi mbikqyrës i INSIG njoftuan shkarkimin e zotit Kalaja nga detyra.

Sipas tyre, motivacioni i shkarkimit të zotit Tomorr Kalaja është papërgjegjshmëria në marrjen e vendimit për rritjen e tarifave për sigurimin, në mënyrë të paparalajmëruar, të pakonsultuar me Bordin Drejtues.

Ndërkohë, nga burime zyrtare mësohet se zoti Kalaja mund të dërgohet edhe për ndjekje penale në Prokurori, pasi dyshohet se mund të jetë i përfshirë në afera korruptive.

Reagojnë kompanitë e sigurimeve
“Rritja e detyrueshme, janë shtuar aksidentet dhe mjetet e pasiguruara”

Ndërkaq, në orët e vona të së mërkurës reagoi edhe Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë.

Përmes një njoftimi zyrtar, ata kanë mbrojtur vendimin për rritjen e tarifave të sigurimit të automjeteve dhe thonë se kjo rritje është pasojë e një sërë faktorëve.

Sipas tyre, kjo lëvizje është e detyrueshme për shkak të rritjes së fortë të aksidenteve rrugore, rritjes së numrit të automjeteve të pasiguruara dhe pagesave ndaj tyre, shërbimit teknik abuziv dhe rritjes së vlerave artificiale dëmshpërblyese nga proceset gjyqësore.

Shoqata thotë se i ka bërë prezente në vijimësi këto probleme, si dhe ka kërkuar zgjidhje pranë institucioneve publike.

Braçe: Të hetohet rritja e çmimit

Deputeti i PS-së, letër Autoritetit të Konkurrencës për siguracionet

Kryetari i Komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Erjon Braçe, u është drejtuar me një letër kryetares së Agjencisë së Mbikqyrjes Financiare, asaj të Autoritetit të Konkurrencës dhe ministrit të Financave, ku u ka kërkuar informacion për rritjen e çmimit për sigurimin e detyrueshëm të automjeteve.

Zoti Braçe shkruan se Komisioni ka ndjekur me shqetësim lajmin se, brenda një dite të vetme, të gjitha kompanitë e sigurimit kanë rritur tarifën TPL për makinat e zakonshme, me 6 mijë lek.

Ai thotë se fakt akoma më shqetësues ështe se, dhe kompania shtetërore INSIG është bëre pjesë e këtij veprimi, sipas tij të koordinuar.

Ai thotë se jemi përballë një situate, që na bën të dyshojmë për një marrëveshje të përsëritur karteli midis aktorëve. Braçe kërkon informacion në lidhje me këtë treg dhe veprimin më të fundit në të.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA