Paketa fiskale për fasonët

12/02/2014 00:00

Qeveria nuk mund të vendosë zerimin e tatimit mbi fitimin, siç kërkon biznesi fason, pa një analizë të hollësishme në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Kjo është një nga çështjet më të debatuara të paketës me rreth 40 pika, që sipërmarrësit, të cilët punojnë me material porositës, i kanë paraqitur qeverisë me qëllim mbështetjen e këtij biznesi.

“Çdo propozim i ri që mund të ndërmerret nga qeveria shqiptare, nuk mund të bëhet në mënyrë të njëanshme, pa u konsultuar paraprakisht me misionin e FMN-së. Duhet të mendojmë edhe për sektorë të tjerë ekonomik, që do të thotë se, të gjithë operatorët ekonomik, të cilët operojnë në këtë treg lokal, duhet të vendosen në kushte të barabarta nga pikëpamja e konkurrencës”, u shpreh Bashkim Sykja, drejtor i Mbështetjes së Sipërmarrjes, METE.

Por, përfaqësues të biznesit fason argumentojnë se konkurrenca e tyre nuk është me bizneset brenda vendit, por me ato në rajon.

“Kjo është një sipërmarrje, që nuk duhet të preket nga rritja e tatim-fitimit, me argumentin e thjeshtë se ne nuk jemi konkurrentë me gjithë partnerët e tjerë ekonomik në Shqipëri. Partnerët tanë konkurrentë janë ata të rajonit, apo le të themi ata të Bashkimit Europian, të cilët kanë një nivel më të ulët taksash”, tha Flamur Hoxha, përfaqësues i biznesit fason.

Investimet në objekte 1 Euro
Sipërmarrësit: Kanë mbetur vetëm ndërtesa ku nuk ka leverdi

Sa i përket vendimit të qeverisë, për dhënien e aseteve shtetërore me 1 euro, sipërmarrësit shprehen skeptik, për shkak të pozicionit gjeografik të këtyre objekteve.

“Lidhur me asetet që janë pronë publike, në veçanti për industrinë e fasonëve, me sipërfaqe mbi 500 metra katrorë mund t’i jepet kësaj industrie në dispozicion, me 1 euro. Është një avantazh i madh për të gjithë ato kompani, që kërkojnë të zgjerojnë hapësirat e tyre”, deklaroi Bashkim Sykja.

“Nuk besoj që kanë ngelur objekte që mund të shfrytëzohen për këtë sektor, pasi ky është një sektor që nuk mund të lulëzohet në vende të braktisura. Ky sektor duhet të shtrijë aktivitetin e tij në vende, që janë të populluara me fuqi punëtore”, tha Flamur Hoxha.

Paketa është në proces negociimi, por qeveria premton rimbursim automatik të TVSH-së brenda 60 ditëve.

Po ashtu, makineritë e importit me TVSH zero nuk do të bëhen në bazë të listës së caktuar më parë, por përmes një deklarate vullnetare të biznesit, duke shmangur procedurat burokratike dhe duke mos penguar nxitjen e risive teknologjike në këtë sektor.

Top Channel