Miratohet huaja për interkonjeksionin

11/02/2014 00:00

Komisioni i Ekonomisë miratoi marrëveshjen e re të huasë me bankën
gjermane KFë, që i hap rrugë ndërtimit të linjës 400 kilovolt
Kosovë-Shqipëri.

Linja u bllokua për gati tre vjet pas konfliktit të ish-Qeverisë së demokratëve me bankën gjermane KFë për kompaninë fituese në tenderin e parë.

“Duke nisur që diferenca midis dy ofertuesve ishte 8.6 milionë euro dhe duke qenë se investitori shpall fitues ofertën me kosto më të lartë, Qeveria kërkoi anulimin e tenderit. Dhe ja ku jemi sot pas mbylljes së gjithë procedurës, Qeveria kishte të drejtë, kishte vepruar në përputhje me interesin publik. Akuzat që ka bërë opozita e djeshme sot bien të gjitha poshtë”, tha ish-ministri i Financave, Ridvan Bode.

“Akuzat e ngritura nga opozita erdhën nga Kosova, nuk erdhën nga Shqipëria, atje ku lobohej me të njëjtin presion përkundrejt autoriteteteve qeveritare të Kosovës, për të ndryshuar edhe ata kushtet, për të ndryshuar edhe ata mënyrën e tyre të prokurimit, të tenderimit, të përzgjedhjes që kishin bërë”, tha kryetari i Komisionit, Erjon Brace.

Projekti u zhbllokua me ardhjen e socialistëve në pushtet. Linja u ritenderua në dhjetor të vitit të kaluar dhe oferta fituese rezultoi 7 milionë euro më e ulët se sa ai i kompanisë fituese në tenderin e parë, që u anulua nga Qeveria e mëparshme.  

Top Channel