Ndërhyrjet e BSH pa efekt

10/02/2014 00:00

Ekspertët thonë se masat e Bankës Qëndrore për të nxjerrë ekonominë nga
kriza zbehen nga niveli i lartë i pasigurisë që kanë individët dhe
biznesi.

“Niveli i perceptimit të rriskut që kanë bankat tregtare në Shqipëri kur japin kredi, cilësia e kërkesës për sa i përket kredisë nga planet e biznesit ose nga investime të mundshme dhe përgjithësisht shumë pikëpyetjeve dhe paqartësive që ka e ardhmja e ekonomisë shqiptare, për dy ose tre vitet që vijnë, qoftë në raport me ndikimin e krizës, qoftë në raport me mënyrën se si disa sektorë kryesorë të saj do ta kenë të ardhmen, qoftë afatshkurtër qoftë afatgjatë”, thotë Ardian Civici, ekspert i ekonomisë.

Banka e Shqipërisë uli 7 herë me radhë normën bazë për të parandaluar ngadalësimin e fortë të ekonomisë. Por, siç e pranon dhe vetë në raportin e politikës monetare, efektet kanë qenë të dobëta. Civici thotë se në këto kushte ka vetëm dy zgjidhje, ku e para është ajo e masave që adresojnë burimet e rrezikut.

“Tashmë e qartë, ne kemi një sërë ngërçesh, që nga ngërçi me problemin e pronave, që nga ngërçi ligjor, që nga ngërçi i politikave fiskale që ndryshojnë ose kanë tendencë të ndryshojnë shpesh, që nga detyrimi që i ka Qeveria për t’i shlyer biznesit një sërë pagesash të papaguara që kanë bllokuar ekonominë, që nga ngërçi i atyre masave makro-prudenciale të bankës të Shqipërisë, por edhe sistemit bankar për të ulur përqindjen e kredive të këqija”, tha Civici.

Ndërsa rruga e dytë, sipas tij lidhet me përdorimin e buxhetit për të riorientuar ekonominë nga konsumi tek sektorët prodhues.

“Ne mund që, qoftë me borxhin e ri që do të marrim, qoftë me mundësitë të investimeve të huaja direkte ose me mundësitë të tjera financimi, të japim një goditje për sektorin prodhues dhe për ekonominë shqiptare që mund të fillojmë atë ndryshim të madh që e kemi përmendur shumë shpesh, nga një ekonomi kryesisht konsumi, në një ekonomi prodhuese, duke filluar që nga bujqësia, nga agroindustria, nga miniera, nga sektori i ndërtimit dhe nga gjithcka që prodhon, nga gjithçka që mund të eksportojë”, tha Civici.

Ndonëse norma bazë e interesit është ulur në nivelin më të ulët historik, prej 3 për qind, kredia për ekonominë vazhdon të tkurret duke ngadalësuar më tej konsumin por edhe investimet private.  

Top Channel