Sërish pesimizëm për ekonominë

07/02/2014 00:00

Banka e Shqipërisë ka zbehur shpresat për rigjallërimin e ekonomisë dhe daljen e saj nga ngërçi i normave minimale të rritjes.
Në raportin e fundit të politikës monetare, Banka parashikon se rritja
ekonomike do të jetë e ulët edhe gjatë tremujorëve në vazhdim.

Sipas saj, kjo diktohet nga kërkesa e dobët nga jashtë, pamundësia e Qeverisë për ta mbështetur ekonominë me stimul, por edhe mungesa e sinjaleve për rritjen e konsumit dhe investimeve private.  

Këta faktorë – vlerëson banka – do e mbajnë kërkesën e brendshme poshtë potencialit prodhues të ekonomisë, e cila mbetet e ndrydhur nën presionin e fortë të krizës.

Shqipëria mori goditjen e parë nga kriza në vitin në vitin 2009 kur rritja e Prodhimit Kombëtar u përgjysmua nga 6 në 3 për qind. Por prej dy vitesh, ekonomia ka hyrë në një fazë të dytë ngadalësimi për shkak se kriza preku edhe tregu financiar duke çuar në bllokimin e kredisë.

Fillimisht në vitin 2012, rritja ekonomike ra në 1.6 për qind, ndërsa vitin e kaluar ajo vlerësohet të ketë zbritur në nivele gati stanjative, 0.7 për qind.
Qeveria vlerëson se 2013-a ishte viti i fundit i rrokullisjes së ekonomisë. Për 2014 ajo pret që rritja ekonomike të trefishohet krahasuar me një vit më parë nga 0.7 në 2.1 për qind.

Por Banka Qendrore ka një skenar më të rezervuar. Sipas saj, gjatë këtij viti rritja ekonomike do të shënojë vetëm një përmirësim të lehtë, i cili lidhet me mungesën e goditjeve afatshkurtra siç ishin zgjedhjet në vitin e kaluar.

Ndërsa konsumi dhe investimet do të vijojnë të mbetet të dobëta duke e mbajtur ekonominë të mbërthyer në darët e krizës, për të gjashtin vit me rradhë.   

Top Channel