Shpallet emergjenca mjedisore

05/02/2014 00:00

Pak muaj para fillimit të sezonit turistik, Ministria e Mjedisit ka shpallur emergjencë mjedisore në gjithë vendin. Komiteti ndërministerial ka vendosur ngritjen e një task force për të marrë masa në zonat e ndotura turistike, por edhe në akset rrugore të mbuluara nga mbetjet.

“Shpallet gjendja e emergjencës dhe rekomandohet ngritja e një task force për zgjidhjen e kësaj situate shqetësuese para nisjes së sezonit turistik”, deklaroi Olijana Ifti, zëvendësministre e Mjedisit.

Vija bregdetare e Adriatikut, nga Durrësi deri në Vlorë, është e prekur nga derdhjet e ujërave të zeza. Sipas ekspertëve të mjedisit, e rëndë paraqitet situata mjedisore në Velipojë, Tale, Shëngjin, Tropojë, Dërmenas dhe në disa zona turistike si në Vlorë, Orikum, Himarë, Lukovë, Sarandë e Ksamil.

“Janë këto arsye për të cilat Komiteti për menaxhimin e integruar të mbetjeve propozoi masat e duhura për të zgjidhur këtë situatë”, vijoi zëvendësministrja Ifti.

Shumë rrugë nacionale, por edhe zona të rëndësishme në kryeqytet janë mbuluar nga mbetjet në një kohë kur zbatimi i ligjit për menaxhimin e intergruar të mbejteve është domosdoshmëri.

Top Channel