Hiqen kreditë e buta për zyrtarët

05/02/2014 00:00

Qeveria shqiptare vendosi t’i japë fund trajtimit të privilegjuar për
zyrtarët e lartë, nëpërmjet kredive të buta duke shfuqizuar vendim e
Këshillit të Ministrave Nr. 600 “Për trajtimin me strehim të nëpunësve
civil të administratës së lartë shtetërore dhe funksionarëve politikë”.

Këtë inisiativë të Qeverisë e bëri publike ministrja e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni, e cila deklaroi se fondet e planifikuara në buxhet për zyrtarët e lartë të shtetit do të alokohen për qytetarët në nevojë.

“Këshilli i Ministrave me propozim të Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit vendosi sot të mos trajtojë më në mënyrë të privilegjuar zyrtarët e shtetit.Vendimi i sotëm i Këshillit të Ministrave parashikon që fondet e planifikuara në buxhetin e shtetit për zyrtarët, të alokohen në kategoritë e tjera më në nevojë për strehim, siç janë familjet që banojnë në ish pronë të subjekteve të shpronësuara të cilët përfitojnë kredi me 0 % interes.Vendimi i sotëm i Këshillit të Ministrave i heq zyrtarëve të lartë të shtetit mundësinë për t’u trajtuar në mënyrë të privilegjuar, përmes kredive te buta per strehim. Falë vendimit të sotëm, privilegjet e trajtimit me kredi të buta do të kalojnë nga zyrtarët e lartë të shtetit, tek qytetarët që kanë më shumë nevojë për këtë strehim”, tha Gjermeni.

Top Channel