Lezhë, salla e re e pritjes në spital

04/02/2014 00:00

Kryeministri Edi Rama së bashku me Ambasadorin Arvizu dhe  Ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj përuruan sallën e re të pritjes në Spitalin Rajonal të Lezhës, rinovuar me fondet e USAID. Ata panë nga afër edhe investimet e tjera të qeverisë së SHBA në këtë spital.

“Ne jemi shumë kenaqur që këtu në Lezhë, përurojmë krijimin e një këshilli konsultativ spitalor i cili do të punojë së bashku me komunitetin. Shtetet e Bashkuara janë shumë krenare që qeveria shqiptare, ka zgjedhur këtë qasje përsa i përket bashkëpunimit me komunitetin sic është bërë përshembull në fushën e arsimit dhe e njëjta gjë po zbatohet edhe në fushën e shëndetësisë”, tha Ambasadori Arvizu.

“Ky projekt i realizuar është ndër shembujt më të parë të një transformimi në vijim, të të gjitha pikave të kontaktit me shtetin, në spital dhe nga ana tjetër është kënaqësi që kjo përkon me ditët kur i gjithë personeli i spitaleve po merr rrogat me taksimin e ndershëm dhe pashë infermiere shumë të gëzuara, shoh mjekë të buzëqeshur. Kjo do të vazhdojë dhe sigurisht që jam i bindur se kjo do të ndikojë shumë edhe në forcimin e marrëdhënieve mes personelit spitalor, Ministrisë së Shëndetësisë, qeverisë së tërë, pushtetit lokal, komunitetit po ashtu do të ndikojë më tutje që ne të vazhdojmë të rrisim mundësitë e të gjithë atyre që shërbejnë në spitale, për të pasur më shunë para nga puna e tyre e ndershme dhe jetuar më mirë”, deklaroi Kryeministri Rama.

“Ne jemi të angazhuar që të hapim kantjerin e shëndetësisë të bëjmë ndryshime në sistemin tonë spitalor. Njëherazi është e domosdorshme t’ja dalim shumë shpejt që të mundësojmë një furnizim në vijësi me barna të mundësojmë një funksionim normal të pajisjeve bio-mjekësore, por njëherazi jemi angazhuar që spitalet do t’i kemi qëndra kurimi, por edhe qëndra ku ngjizet solidariteti njerëzor”, u shpreh Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja.

Spitali Rajonal i Lezhës është një nga tre spitalet pilot me të cilat USAID ka punuar për të vënë në funksion sisteme më të mira të menaxhimit.

Punimet në segmentin Lezhë-Milot

Gjatë qendrimit në Qarkun e Lezhës, Rama ndoqi edhe punimet në segmentin Milot-Lezhë të cilat përfshijnë riveshjen me asfalt të rrugës, një investim ky i Autoritetit Rrugor Shqiptar me vlerë 380 milion lekë.

“E para, patjetër duhet ta plotësojmë me sinjalistikë. Një projekt i bërë pa sinjalistikë është: ‘Shtro asfalt për aksidente’. Ta plotësojmë me sinjalistikë urgjentisht. Ndërkohë me kryetarin bashkisë të bëjmë një projekt që aty ku është e mundur të fillojmë të vendosim gjelbërim. Pastaj të shikojmë të gjithë këto ndërhyrjet anësore, të fillojmë t’i reduktojmë aty ku është  e mundur dhe ka plot mundësi të reduktohen dhe të disiplinohen”, vlerësoi Rama.

Top Channel