Zbulohet skemë mashtrimi me TVSH

03/02/2014 00:00

Zbulohet një tjetër skemë mashtrimi më TVSH-në në fushën e kromit,
ndërtimit dhe kartave rimbushëse telefonike, ku dëmi llogaritet në 1
milion dollarë.

Lajmi bëhet me dije nga Drejtoria e Tatimeve, sipas të cilës në datën 31.01.2014, mbi bazën e një hetimi dymujor të kryer nga Drejtoria e Hetimit Tatimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, dolën për ekzekutim disa urdhër-arresti për disa administratorë subjektesh tregëtare.

“Nga hetimet e deritanishme rezulton se të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin nëpërmjet mashtrimit me TVSH-në deri në këtë fazë të hetimit ka rezultuar se kanë shkaktuar një dëm me vlerë rreth 1 milion dollarë duke shmangur TVSH-në në fushën e kromit, ndërtimit dhe të kartave rimbushëse telefonike.

Të pandehurit janë nën akuzë për veprat penale të cilat i kanë kryer në bashkëpunim “Krijimit të skemave mashtruese me TVSH” në bashkëpunim,  “Fshehjes së të ardhurave” kryer ne bashkëpunim, “Falsifikimit të vulave, stampave apo formularëve”, “Pastrimit të Produkteve të veprës penale”.

Nga Policia e Shtetit deri më tani është bërë i mundur arrestimi i shtetasve Bujar Male dhe Urim Canaj dhe janë shpallur në kërkim 5 administratorë të tjerë. Hetimet për këtë çështje vazhdojnë.

Administrata Tatimore iu bën thirrje subjekteve tatimpagues që të krijojnë marrëdhënie tregëtare me subjekte të besueshme dhe të mos përfshihen në skema mashtrimi të cilat shkatërrojne imazhin e subjekteve serioze dhe i shkaktojne dëme të konsiderueshme buxhetit të shtetit dhe shoqërisë.

Gjithashtu ftojmë publikun të denoncojë pranë Organeve tatimore çdo individ apo subjekt i cili kryen aktivitet të dyshimtë dhe përfshihet në skema mashtrimi me tatimet”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Tatimeve.

Top Channel