Rusi, arrestohet pengmarrësi i nxënësve

03/02/2014 00:00

Një student, i cili mbajti peng për disa orë më shumë se 20 nxënës u arrestua nga policia, informuan mediat ruse pasditen e së hënës.

Keqbërësi u ndalua vetëm pasi qëlloi për vdekje një polic dhe një mësues, ndërsa një polic tjetër mbeti i plagosur gjatë operacionit policor.

Të gjithë pengjet u liruan të padëmtuar.

Incidenti, i ndodhur në rrethinat e kryeqytetit Moskë, ndodhi ndërsa Rusia po përgatitet që të presë Lojrat Olimpike Dimërore, të cilat do të nisin në Soçi gjatë javës së ardhshme.

Mbeten të paqarta për momentin arsyet që shtynë të riun të hynte i armatosur me armët që i përkisnin babait të tij në shkollën 9-vjeçare dhe të mbante peng nxënësit.

Një roje i armatosur në derën e shkollës e pati të pamundur të ndalonte agresorin të hynte brenda ambienteve te shkolles, por ishte ai që dha alarmin e përgjithshëm, duke bërë që të gjithë klasat e tjera të evakuoheshin.

Në vitin 2004, në Beslan, Kaukazin Jugor, terroristë çeçenë goditën një shkollë fillore.

Në pengmarrjen që zgjati tre ditë mbetën të vrarë 186 nxënës, mbi 100 mësues dhe dhjetëra anëtarë të forcave të sigurisë e vetë pengmarrësit.

Top Channel