Energjia, humbjet ende alarmante

03/02/2014 00:00

Qeveria shqiptare synon të ulë humbjet e energjisë elektrike, të cilat
sipas zëvendëskryeministrit Niko Peleshi, vazhdojnë të jenë të larta.

“Janë tronditëse shifrat e CEZ-it. Eshtë një humbje prej 43.2 për qind e energjisë elektrike gjatë vitit të kaluar, ose e barabartë me 200 milionë dollarë, sa 70 për qind e fuqisë së kaskadës së Drinit. Ndërkohë që ne jemi në një situatë financiare që sapo ka kaluar, sapo i ka shpëtuar gropës së madhe financiare të krijuar nga qeverisja e kaluar”, tha Peleshi.

Duke prezantuar rezultatet njëmujore të task forcës së energjisë, në cilësinë e kryetarit të kësaj njesie, zëvendëskryeministri vlerësoi punën për rritjen e arkëtimeve. Më tej, ai paralajmëroi tolerancë zero, ndaj çdo individi apo biznesi që nuk shlyen detyrimin për energjinë elektrike.

“Rezultati për janarin, pra arkëtimet e janarit janë 10 milionë dollarë më tepër, krahasuar me janarin 2013. Kjo tregon se sa e madhe është rezerva që CEZ Shpërndarje ka, për të vjelë tek debitorët por edhe tek vjedhësit e energjisë elektrike”, tha Peleshi.

Situata problematike në sistemin e shpërndarjes së energjisë, ishte në qendër të diskutimeve dhe në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, ku u shqyrtuan kandidaturat për kryetarin e Entit Rregullator të Energjisë.

“Si të reformohet akoma më tepër ky sektor elektroenergjitik dhe të shpëtojë dhe nga një kolaps në të cilin ai ka rënë, ku elementët bazë dhe më të rëndësishëm është performanca e kompanisë së shpërndarjes. Kuptohet ka nevojë në rradhë të parë për një reformë në mënyrë që të arrihen treguesit maksimalë pozitivë, pasi gjendja është relativisht shumë e keqe dhe e rënduar”, tha Petrit Ahmeti, kryetar i ERE-s.

Sipas kryetarit aktual të ERE-s, pritet që në gjashtëmujorin e parë të vitit të zgjidhet dhe në mënyrë përfundimtare konflikti administrativ mes shtetit dhe kompanisë CEZ, që aktualisht është në administrim shtetëror.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga deputetët ishte dhe TEC-i i Vlorës që nuk ka funksionuar asnjëherë dhe për të cilin sipas kandidatit tjetër për kryetar të ERE-s, Gjin Rosaj kërkohet një investim shtesë prej 12 milionë eurosh për te rinovuar teknologjine qe do ta bente efektiv.

Top Channel