Shlyerja e borxheve të vjetra

30/01/2014 00:00

Zëvendësministri i Financave Erjon Luci thotë se shlyerja e borxheve të prapambetura ndaj biznesit pritet të nisë brenda marsit.

“Për këtë vit, siç e keni parë edhe nga buxheti vjetor, është parashikuar një shumë gati 35 miliardë lekë që është një shumë relativisht e madhe për t’u disbursuar brenda një kohe shumë të shkurtër. Kështu që do të ketë një shpërndarje sa më homogjene të asaj shume, për pjesën e mbetur të vitit. Nëse nuk arrihet të disbursohet brenda vitit, ajo shumë do të vazhdojë në vitin që vjen”, tha Luçi.

Ministria e Financave ka hartuar një strategji të posaçme sipas të cilës do të administrohet gjithë procesi. Në dokument përcaktohet edhe se cilat fatura do të shlyhen të parat.

“Faturat, që kanë një datë më të vjetër ekzekutive ose janë ekzekutuar më përpara do të paguhen më herët. Rradha do të kalohet vetëm për raste shumë të veçanta që mund të kenë ndikime të drejtpërdrejta në ofrimin e shërbimeve publike të rëndësishme. Në përgjithësi rastet do të ndiqen në bazë të datës”, tha Luçi.

Në total borxhet e prapambetura, sipas Qeverisë, vlerësohen 72.6 miliardë lekë dhe janë parashikuar të shlyhen brenda tre vjetëve. Qeveria shpreson që pagesat e këtyre borxheve të zhbllokojnë procesin e kreditimit.

“Bankave do t’u bëhet e ditur, sic do t’i bëhet lista e detyrimeve që do të paguhen dhe kjo do t’i japë një mundësi më të madhe në koordinim me njëra-tjetrën për të mbajtur nën sistem, ose për të maksimizuar likuiditetin e injektuar në sistem të ndihmojë si në uljen e kredive të këqija,po ashtu edhe në dhënien e kredive të reja”, tha Luçi.

Qeveria do të marrë 300 milionë dollarë borxh nga FMN dhe po kaq edhe nga Banka Botërore për pastruar borxhet e këqija të thesarit.    

Top Channel