Scarlett Johansson dorëhiqet nga Oxfam

30/01/2014 00:00

Aktorja Scarlett Johansson vendosi të braktisë detyrën e ambasadorës për Oxfam-in, organizatës ndërkombëtare që merret me çështje të varfërisë dhe padrejtësisë në Botë, pas debatit që u krijua mbi mbështetjen që ajo i dha një kompanie izraelite që vepronte në territoret e pushtuara të Bregut Perëndimor.

Ndërkohë, Johansson do të mbetet ambasadorja e SodaStream-it, kompanisë izraelite të pijeve që ka një fabrikë në vendbanimet hebraike në Maale Adumim. Ajo firmosi kontratën në fillim të këtij muaji dhe do të shfaqet në një reklamë gjatë SuperBoullit që zhvillohet të dielën. Oksfam është kundër tregtisë në vendbanime duke e konsideruar të jashtëligjshme mbështetur mbi ligjin ndërkombëtar, megjithëse për Izraelin nuk është kështu.

Përmes një deklarate të publikuar të mërkurën mësohet se “aktorja e Hollivudit vendosi me të gjithë respektin t’i japë fund detyrës së saj si ambasadore e Oksfamit pas tetë vjetësh”.

“Ajo dhe Oksfam kanë dallime në opinionet e tyre sa i takon bojkotit, ndarjes apo sanksioneve. Ajo është shumë krenare për detyrat e përmbushura si dhe përpjekjet për ngritjen e fondeve gjatë mbajtjes së detyrës me Oksfamin”.

Të enjten, Oksfam pranoi dorëheqjen e aktores dhe vlerësoi kontributin e saj. “Megjithëse Oksfam respekton pavarësinë e ambasadorëve tanë, roli i Johansson në promovimin e kompanise SodaStream nuk përputhet me rolin e Ambasadores Botërore të Oksfamit”.

Megjithëse shefi ekzekutiv i kompanisë SodaStream tha se stafi izraelit dhe palestinez trajtohen në mënyrë të barabartë, një palestinez i punësuar që kërkoi ruajtjen e identitetit i tha Reuters se “aty ka shumë racizëm”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA