
“Më në fund në shtëpi”, i regjisorit Kreshnik Saraçi, është filmi me metrazh të shkurtër i shfaqur premierë në Tiranë. Aktorë: Ndriçim Xhepa, Luli Bitri, Joel Dudushi dhe Xhoen Tugu. Producent: Niko Treni.
Filmi trajton mungesën e komunikimit të një familjeje, problemet e së cilës dalin në pah, në mënyrë të veçantë, gjatë një udhëtimi shtatë orësh me makinë.
“Kam zgjedhur këtë tematikë, sepse mendoj se në kohët e sotme, për shkak të shumë arsyeve, jeta është më vrullshme, teknologjia më e madhe dhe ka humbur ai që është gjëja më e rëndësishme, sipas mendimit tim, jo vetëm brenda familjes por edhe midis nesh, që është komunikimi njerëzor. Sot e kësaj dite ky komunikim mungon, kjo më shqetëson, ndaj dhe kam zgjedhur këtë tematikë”, tha Kreshnik Saraçi, regjisor.
“Te ky regjisor i ri ndjeva që ka një mendim të saktë për çfarë e bën filmin. Tema që zgjedh, një temë me këmbë në tokë, me një problem social që vërtet është prezent në shoqërinë tonë”, u shpreh Ndriçim Xhepa, aktor.
Pjesëmarrja e emrave të afirmuar të kinemasë është edhe një mundësi më shumë, që u ofrohet regjisorëve të rinj për të ecur përpara.
“Regjisorët e rinj duhet ta kenë edhe prezencën e aktorëve me përvojë, sepse duan apo s’duan ata marrin nga njëri-tjetri. Edhe eksperienca nuk ka pse të mos marrë pjesë në ritmet e punës së filmit të sotshëm”, shtoi më tej Ndriçim Xhepa.
Top Channel