Eksportet, rekord historik

29/01/2014 00:00

Eksportet kanë arritur një tjetër rekord historik duke shënuar vitin e kaluar kuotën 246.3 miliardë lekë.

Sipas Institutit të Statistikave krahasuar me një vit më parë, rritja në vlerë është 15.6 për qind. Me gjithë krizën e rëndë që ka përfshirë Eurozonën por edhe rajonin, dy tregjet kryesore të produketeve shqiptare, eksportet kanë vazhduar të ruajnë ritme të forta rritje duke përmirësuar bilancin tregtar dhe pozicionin e jashtëm të ekonomisë.

Vitin e kaluar përqindja e mbulimit, treguesi që mat raportin e eksporteve me importet arriti vlerën më të lartë historike. Sipas INSTAT, për çdo 100 lekë mallra të importuar në 2013-n, Shqipëria ka eksportuar 48.1 lekë. Në 2009-n, ky tregues ishte dy herë më i ulët. Ndonëse një pjesë e përmirësimit në bilancin tregtar lidhet me ngadalësimin e importeve,  sërish efekti më i madh i dedikohet eksporteve, të cilët krahasuar me vitin 2009 janë rritur me gati 2.5 herë.

Por a tregon kjo se bizneset dhe ekonomia shqiptare janë bërë më konkurruese në tregjet e huaja? Në fakt, pavarësisht rritjes së fortë në vlerë, struktura e eksporteve shqiptare ka mbetur gati e pandryshuar. Rreth 70 për qind e tyre, përbehën vetëm nga dy zëra, që janë mineralet e nëntokës, veçanërisht nafta dhe kromi si dhe eksportet me material porositës, të njohura ndryshe si fason. Produkte të cilat shiten të papërpunuara dhe marrin pak vlerë të shtuar në vend duke ulur përfitimet për ekonominë. Banka Botërore e rendit Shqipërinë si Banka Boterore e rendit Shqipërinë në një ndër vendet me të prapambetuara për zhvillimin teknologjk dhe produktivitetin e ulet të prodhimit. Sipas të dhënave, vetëm 10.9 për qind e produkteve shqiptare per eksport, përbehen nga kapitali dhe njohuritë. Në Maqedoni kjo shifër është 35 për qind, ndërsa në Sllovaki 71 për qind.
 

Top Channel