Shlyerja e borxheve të Qeverisë

28/01/2014 00:00

Shlyerja e detyrimeve të prapambetura që Qeveria ka ndaj biznesit do të
marrë 3 vjet kohë. Top Channel zbardh strategjinë përmes të cilës
Qeveria synon të zgjidh përfundimisht ngërçin e borxheve të
prapambetura, jo vetëm duke shlyer detyrimet ekzistuese por edhe duke
parandaluar krijimin e borxheve të reja.

Drafti i përgatitur nga Ministria e Financave, vlerëson se borxhet e prapambetura të shtetit ndaj sipërmarrjes janë në total rreth 72.6 miliardë lekë ose 5.3 për qind e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar.

Detyrimet konsistojnë në 5 zëra. Dy të para janë kontratat e papaguara të punëve publike dhe pagesat për mallra e shërbime, respektivisht me 24.6 miliardë lekë dhe 5 miliardë lekë. Këtyre u shtohen 22.8 miliardë lekë detyrime të tjera që rrjedhin nga tatimet, përkatësisht 12.8 miliardë lekë TVSH e parimbursuar dhe 10 miliardë lekë tatim mbi fitimin që duhej t’i ishte kthyer biznesit.

Në zërin e fundit Qeveria grupon detyrimet e tjera, të cilat i vlerëson 20.1 miliardë lekë dhe ku përfshihen vendimet gjyqësore kundër shtetit, detyrimet për shpronësimet publike por edhe pagesat e prapambetura të personave me aftësi të kufizuar. Për vitin 2014, Qeveria ka vendosur të paguajë nga buxheti 35 miliardë lekë ose gati gjysmën e detyrimeve totale. Pjesa e mbetur do të shlyhet në dy vitet e ardhshme, përkatësisht 20 miliardë në 2015 dhe 17.5 miliardë të tjera në vitin 2016.

Por cila do të jetë radha e shlyerjes? Qeveria thotë se do të ndjekë parimin e kohës, sipas të cilit pagesat do të fillojnë nga detyrimet më të vjetra tek ato më të reja. Sipas strategjisë, për të eleminuar abuzimet, gjithë procesi do të mbikëqyret nga një komitet i posaçëm, që kryesohet nga zëvendësministri i Financave, por ka në përbërjen e tij Drejtoreshën e Doganave, atë të Tatimeve dhe të tjerë anëtarë. Në proces do të jetë e përfshirë edhe KLSH që do të ketë statusin e vëzhguesit. Në draftstrategjinë janë parashikuar edhe një sërë masash që tentojnë të parandalojnë krijimin e borxheve të reja ku përfshihen ndryshimi i ligjit të buxhetit, ai i skemës së rimbursimit të TVSH-së etj.         

Top Channel