Doganat nën asistencën e ‘Crown Agents’

27/01/2014 00:00

“Doganat shqiptare duhen bërë pa humbur kohë si ato europiane dhe se
objektivi është transformimi afatgjatë i këtij sistemi”. Kjo është
ambicja e Qeverisë shqiptare e deklaruar prej Kryeministrit Edi Rama
gjatë një aktiviteti, ku u prezantua plani strategjik në Dogana,
njëkohësisht edhe kompania ‘Crown Agents’.

“Me jetësimin e një bashkëpunimi të gjerë të Qeverisë, të miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë, të gjithë drejtuesve dhe punonjësve të administratës doganore dhe së fundmi edhe të skuadrës së ‘Crown Agents’, dogana shqiptare duhet të bëhet patjetër dhe pa humbur kohë si çdo doganë europiane, një instrument financiar me natyrë sociale.’Kufijtë ndajnë, doganat afrojnë’, ishte slogani i Ditës Ndërkombëtare të Doganave në vitin 2012, që flet qartazi për kompleksitetin e punës dhe rëndësinë që ka Dogana si institucion sa i marrëdhënieve ndërkombëtare, aq edhe i marrëdhënieve sociale”, tha Rama.

Pasi ka vlerësuar arritjet e doganave shqiptare këto katër muajt e fundit, Kryeministri Rama u ndal në rolin që do të ketë ‘Crown Agents’.

“‘Crown Agents’ do të ndërmarrë sipas kontratës 450 kontrolle në muaj dhe po sipas kontratës do të na ndihmojë që të garantojmë këtë vit rritjen me 1 për qind të GDP-së së vendit nga të ardhurat e doganave. Por dua ta përsëris që edhe paskëtaj ky për ne mbetet një përmirësim afatshkurtër, ndërkohë që ajo çka ne na intereson më së pari dhe ku do të fokusohemi me shumë këmbëngulje është përmirësimi aftagjatë dhe transformimi i qëndrueshëm afatgjatë i sistemit të doganave të Shqipërisë”, theksoi Rama.

David Smith drejtues i programit të asistencës nga ‘Crown Agents’ shpjegoi disa prej objektivave që synohet të arrihen.

“Zbatimi i kontrolleve në dogana dhe zbulimi i mashtrimit do të jetë prioriteti yne kryesore që do të aplikojnë agjentët tanë, të cilët do të jenë në terren duke zbuluar mashtrimet. Do të lehtësojmë procedurat doganore dhe do të përcjellim në nivelin qendror çdo informacion që do të mblidhet në terren. Objektivi tjetër mbetet rritja e të ardhurave, ngritja e kapacitetit doganor në përputhje me atë të vendeve të BE-së.Kemi një ekip me ekspertë ndërkombëtarë nga Britania, Letonia, Finlanda, Suedia apo nga shtete të tjera. Nuk jemi të fshehtë, që t’u dalim njerëzve papritur, por do të jemi në sytë e publikut. Do të rrisim të ardhurat në një kohë të shkurtër dhe që këto të ardhurat të rrinë në këtë standard afatgjatë. Dua të bëj shumë të qartë që jemi si këshilltarë dhe jo si menaxherë, për të punuar me ju dhe Qeverinë”, tha Smith.

Ndërsa, drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali theksoi se do të ketë luftë pa kompromis kundër evazionit fiskal, ndërsa shprehu gatishmërinë për bashkëpunimin me kompaninë “Crown Agents”.

“Sportelet e doganave tona momentalisht janë të padenja”, tha Spiropali, ndërsa shtoi se Dogana kërkon nga Prokuroria t’i shkojë deri në fund hetimeve për të gjitha  shkeljet e evidentuara deri më tani.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj theksoi se shërbimi doganor duhet të jetë pasqyra e një klime të re në marrëdhënien me biznesin. Ndërsa ministri Financave Cani e vuri theksin në fjalën e tij, në luftën ndaj evazionit fiskal dhe korrupsonit në doganë.

Top Channel