Situata hidrike normalizon KESH-in

25/01/2014 00:00

Ministri Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri deklaroi përmirësimi i
situatës hidrike në kaskadën e Drinit, përveçse garanton furnizimin e
konsumatorëve me energji, lehtësoi Qeverinë dhe KESH-in nga blerja e
programuar e saj.

“Gjëja më e mirë për këtë vend që koha e lagësht është kthyer, sepse Qeveria shqiptare përgatiti edhe një paketë financiare për të blerë energji, por kjo cështje me ndryshimet e reja atmosferike, ne po e shikojmë me sukses se si t’i administrojmë sic duhet ato para”, tha Gjiknuri.

Javën e kaluar Qeveria i lëshoi KESH një garanci 13 milionë euro, për blerje energjie. Por tashmë korporata do të shpenzojë vetëm 4.2 deri në 4.5 milionë euro. Ky është një lehtësim jo i vogël për KESH që ndodhet në krizë të thellë financiare dhe që për ministrin imponon mirëadministrimin e çdo fondi.  

“Eshtë e pafalshme që KESH në këto sitiuata të menaxhohet keq, siç ka ndodhur më parë duke patur edhe raste skandaloze abuzimi që janë bërë publike në media. Dua të përgëzoj stafin drejtues edhe për denoncimet dhe për auditimet që ka bërë, ku është blerë skafi, sikur është blerë një jaht”, tha Gjiknuri.

Ministri Gjiknuri ka qenë i pranishëm për një inspektim në Hidrocentralin e Vaut të Dejës dhe Komanit. Ai tha se aktualisht basenet e hidrocentraleve janë në kuota të manaxhueshme, por në rast se prurjet do të jenë të larta mund të ketë edhe shkarkime, sipas procedurave ligjore dhe duke njoftuar banorët.  

Top Channel