Masakra e 21 janarit dhe Shqipëria në kthetrat e antishtetit

25/01/2014 00:00

ANDREA STEAFANI – Nëse nuk jepet drejtësi për 21 janarin, Shqipëria dhe
shqiptarët do të mbeten në kthetrat e antishtetit, pavarësisht faktit se
kush do të jetë në pushtet a qeveri.

Sepse, thelbi i antishtetit është mungesa e drejtësisë. Dhe nuk ka mungesë më të madhe drejtësie sesa mosndëshkimi i një kryekrimi siç është vrasja e njerëzve. Shteti krijohet pikërisht që njeriu të mos vrasë njeriun si në gjendjen e natyrës. Dhe kur një qeveri vret qytetarët e vet, del kundër shtetit dhe qëllimit të tij që është mbrojtja e jetës.

***

Shteti dhe shoqëria shqiptare ndodhen sot përballë një logjike të hekurt, që nuk anashkalohet dot me llogje. Janë dy silogjizmat që përballen. Njëri i opozitës së sotme dhe tjetri i qeverisë së sotme. Silogjizmi mbi të cilin ndërton mbrojtjen Berisha me kompani është ky:

Premisa e parë: Kush sulmon me armë e plumba qeverinë e zgjedhur me votë është e drejtë të goditet me armë nga qeveria.

Premisa e dytë: Protestuesit më 21 janar sulmuan me armë, pistoleta çadër e thika me helm, qeverinë.

Konkluzioni: Qeveria Berisha kish të drejtë të vriste protestuesit.

Kjo është ajo që, në thelb, po thotë Berisha dhe propaganda e tij.

***

Pra, ka momente kur edhe një qeveri e zgjedhur demokratikisht mund të vrasë ata që me armë dhe me plumba vërsulen të rrëmbejnë me forcë atë që nuk e kanë marrë dot me votë, pushtetin. Dhe kemi parë ditët e fundit, një përpjekje tjetër të Sali Berishës dhe berishistëve për të justifikuar vrasjen e 4 protestuesve më 21 janar, si dhe plagosjen e disa të tjerëve pikërisht me “arsyen” se demonstruesit ishin pjesë e një puçi të armatosur që synonte të përmbyste me dhunë qeverinë. Nëse do të ishte e vërtetë një gjë e tillë atëherë pa as më të voglin dyshim, Edi Rama dhe të tjerë kontributorë në “puç” meritojnë të hetohen dhe të dënohen për një krim shumë të rëndë, atë të organizmit të një puçi. Asnjë qytetar normal nuk mund të pranojë të jetojë i qeverisur nga një kryeministër që jo vetëm paska realizuar në praktikë, por edhe sikur vetëm ta ketë menduar, si alternativë, marrjen e pushtetit me puç.

***

Por problem është se të gjitha sa janë dëgjuar për “puçin e Ramës” janë fjalë të Sali Berishës, bashkëpunëtorëve të afërt dhe fanatikëve të tij. Ata nuk ofrojnë asnjë provë që të vërtetojnë këtë akuzë publike që e përsërisin pa pushim. Vetë Berisha, edhe pse deklaroi se kishte të dhëna “të plota” për thika me helm apo çadra pistoletë, nuk ofroi as edhe një provë. Nuk është e para herë që ndodh kështu me të. Ishte Berisha që deklaroi publikisht se Azem Hajdarin e vrau Fatos Nano. Një deklaratë që nxiti protestuesit e tij të sulmojnë me armë Kryeministrinë dhe të pushtojnë Radiotelevizionin publik. Të bëjnë realisht një puç të armatosur. Por vite më vonë, ishte po Berisha që deklaroi se nuk kish qenë Nano që e kish vrarë Azemin. Ka shumë raste të tilla që e bëjnë Berishën të pabesueshëm në ato që thotë. Madje edhe vetë ai i ka përkufizuar akuzat e lëshuara ndaj kundërshtarëve të tij të dikurshëm si “fjalë kazani”. E si mund një mendje normale të besojë se Edi Rama, Bamir Topi apo edhe Ina Rama organizuan një puç, duke u nisur vetëm nga fjalët e kazanit të Berishës? Megjithatë, tre vjet nga koha kur u premtoi shqiptarëve se kish të dhëna të plota për puçin, Berisha është i lirë, edhe sot e kësaj dite, t’ia dërgojë këto të dhëna “të plota” kryeprokurorit Llalla. Dhe nëse ato janë vërtet prova, Rama shkon në bankën e akuzës, ndërsa Berisha eliminon një tjetër kundërshtar që e ka mundur me votë. Por është qesharake të vazhdojë, duke justifikuar vrasjet e protestuesve dhe “puçin” me fjalë kazani, me përleshjen e protestuesve me policinë apo me gurët e nja dy shishe me benzinë që ata hodhën aty. Kudo në demokracitë më të zhvilluara të botës qëllon rëndom që protestuesit të hedhin shishe me benzinë apo gurë mbi policinë, e megjithatë, ata policia nuk i vret me plumba luftarakë.

 
***

Ndërkaq, mbrojtja e Edi Ramës bazohet në një tjetër logjikë themeluar mbi këtë silogjizëm:

Premisa e parë: Qeveria nuk mund të qëllojë me plumba demonstrues që nuk qëllojnë me plumba.

Premisa e dytë: Demonstruesit më 21 janar nuk ishin pajisur me armë zjarri dhe nuk qëlluan me plumba.

Konkluzioni: Vrasja e demonstruesve nga qeveria Berisha nuk ishte një e drejtë, por një krim.

Dhe vetë pamundësia e Berishës për të ofruar të dhënat “e plota” për armatosjen e demonstruesve, vetë pamundësia e komisionit hetimor “Halimi” për të ofruar ndonjë provë, shkojnë në favor të tezës se demonstruesit ishin të paarmatosur dhe vrasja e tyre përbën një krim monstruoz. Një avantazh për opozitën e djeshme dhe qeverinë e sotme janë edhe gjithë përpjekjet e manovrat e Berishës për të bllokuar dhe rrënuar hetimin e asaj që ndodhi më 21 janar. Që nga fshirja e serverëve të Kryeministrisë e deri te bllokimi i urdhër-ndalimeve të prokurorisë për disa drejtues të Gardës së Republikës. Ky akt i fundit është në vetvete një krim antikushtetues. Ndërkaq, asnjë qytetar normal nuk do të pranonte që, në një të ardhme pas një rotacioni pushteti, të qeverisej nga qeveria e një partie apo lideri që mban mbi shpinë krimin e vrasjes së protestuesve të pafajshëm.

***

Janë dy opsione që përplasen dhe që nuk mund të gjejnë ngushëllim. O njëri, o tjetri është i vërteti. Rrugë të mesme nuk ka për të vërtetën. Ose organizatorët e puçit, Rama, Topi, Ina Rama etj., duhet të shkojnë në burg, ose një fat të tillë do ta kenë ata që vranë, Berisha, Basha si ministër i Brendshëm. Dhe gardistët përgjegjës. Kjo është një çështje themelore për shtetin e së drejtës në Shqipëri. Pa u vendosur drejtësia shqiptarët janë sot, hipotetikisht, nën qeverisjen e një partie dhe lideri që organizuan një puç. Dhe vetë PS, Edi Rama nuk mund ta mbajnë mbi vetë këtë akuzë që i kriminalizon. Gjithashtu, pa u vendosur drejtësia për 21 janarin, shqiptarët, në një të ardhme, mund të jenë nën qeverisjen e një partie dhe lideri që mbart mbi shpinë njollën e vrasjes së protestuesve të pafajshëm. Të pranosh të qeverisesh pa u bërë drejtësi për 21 janarin, do të thotë të pranosh të qeverisesh nga krimi. Do të thotë të pranosh të qeverisesh nga antishteti ku sundon forca dhe jo e drejta. Dhe jo akuzat e kundërakuzat e politikanëve, por vetëm drejtësia mund ta nxjerrë Shqipërinë dhe shqiptarët nga kthetrat e përgjakura të ANTISHTETIT!

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA