2014, kreditimi do të rritet

24/01/2014 00:00

Pas një krize tashmë disa-vjecare, qeveria parashikon rigjallërim të fortë të kreditimit. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj deklaroi se pritshmëritë janë që për këtë vit, kredia për ekonominë të rritet me ritme dyshifrore.

“Mund t’ju them që janari tregon të dhëna shumë interesante pozitive për konsumin dhe mund t’u them që në një diskutim zyrtar me bankat, mendohet që këtë vit kreditimi do të ketë një rritje serioze ndoshta dhe më shumë se 20 përqind. Kjo tregon që klima e biznesit dhe parashikimi i konsumatorit apo i kompanive është shumë pozitiv për vitin 2014”, tha zoti Ahmetaj.

Ahmetaj i bëri këto deklarata gjatë një inspektimi në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, ku bëri të ditur se së shpejti qeveria do të miratojë disa masa që lehtësojnë procedurat administrative për biznesin.

Sipas tij, koha e hapjes së ndërmarrjeve do të shkurtohet nga 2 ditë që është aktualisht në tetë orë, ndërsa lehtësira do të ketë edhe në procedurat e falimentit, një nga treguesit ku Shqipëria renditet ndër vendet e fundit në Europë.

Top Channel