Publikimi i pamjeve te Tatimet

22/01/2014 00:00

Partia Demokratike deklaroi se pamjet e publikuara vërtetuan akuzat e saj, për atë që ka ndodhur në serverat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Deputetja Jorida Tabaku tha se kjo është një shkelje e paprecedent në historinë e shtetit shqiptar.

“Skema është shumë e qartë, manipulim i të dhënave tatimore. Ndërhyrja në listën e gjobave të biznesit është bërë nën kujdesin dhe mbikqyrjen e veçantë të krerëve të mazhorancës, Rama dhe Meta. Kemi të bëjmë me një krim shumë të rëndë, me një korrupsion të nivelit më të lartë, përmes një skeme të mirëorganizuar, ku fshihen njerëzit e tyre më të besuar. Kjo është arsyeja, se përse mazhoranca rrëzoi kërkesën që Partia Demokratike bëri për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar”, u shpreh deputetja Tabaku.

“Berisha ideoi komplotin financiar”
Braho: Kam qenë te Tatimet. Në ditët në vijim do t’ia hap petët byrekut

Por, Ministria e Financave deklaroi se pamjet e kamerave të sigurisë në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të shfaqura në një prej televizioneve shqiptare, nuk janë as më shumë e as më pak se sa vazhdimi i shfaqjes mediatike, të nisur muaj më parë rreth kësaj çështjeje.

Në një deklaratë për shtyp thuhet se problematika shqetësuese e të dhënave në serverin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve është konstatuar dhe bërë publike nga vet ky institucion.

Ka qënë pikërisht kjo Drejtori, – thuhet në deklaratë, – që këtë ndërhyrje flagrante e ka paditur në Prokurori.

“Kjo çështje është aktualisht nën hetim dhe Ministria e Financave është në pritje të zbardhjes së plotë nga organet hetimore të problematikës së konstatuar prej nesh”, thuhet në deklaratë. Ministria e Financave deklaron se problematika në fjalë nuk cënon aktivitetin e përditshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe as privatësinë e të dhënave në fjalë.

Për këtë çështje reagoi edhe deputeti Spartak Braho, i cili thotë se është e vërtet, që ka qenë te Tatim-Taksat, si deputet dhe si kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare.

“Si i tillë, unë kam të drejtë të shkoj kudo, ku shikoj se cënohet siguria e vendit dhe, në rastin konkret, siguria financiare e strukturave të shtetit”, deklaron Braho.

Deputeti thekson se “ka konstatuar se Sali Berisha është ideatori i një komploti financiar, që i ka kushtuar rëndë shtetit. Në ditët në vijim, unë do t’ia hap petët këtij byreku, ku ka kullotur banda financiare e Saliut”, vijon Braho.

Sipas tij, e gjithë kjo aferë financiare është denoncuar dhe po hetohet nga Prokuroria. “Prandaj, zotërinjtë e PD-së të kenë durim, ta lënë Prokurorinë rehat, se nuk i shpëton dot as Shkëlzen Ternova, etj”, përfundon deklarata e Spartak Brahos.

Top Channel