
Teksa pakësohen ditët drejt finales së “The Voice of Albania”, shtohen emocionet e finalistëve, së bashku me dëshirën për të qenë zëri më i mirë i Shqipërisë tashmë që fitorja është vetëm një hap larg.
“Jam shumë e lumtur që kam ardhur deri këtu dhe që jam e rrethuar nga artistë që dinë të nxjerrin në pah vlerat e dikujt”, thotë Sigi.
Një mesazh nga Sigi për të gjithë ata që duan të vazhdojnë ëndrrën e tyre për t’u ngjitur në skenë: “Arti gjithmonë ka pengesa dhe vështirësi, por me punë dhe besim mund të arrish gjithçka.”
Arsyet pse Sigi meriton të jetë fituesja, sipas trajnerit të saj Elton Deda: “Sigi është një këngëtare e mrekullueshme, një zë që do i rezistojë kohës dhe tregut. Është një vajzë ambicioze që nuk merret me fjalë, por vetëm me mësim dhe i përkushtohet këngës. Njerëz të tillë seriozë duhen votuar.”
Bora, tjetër finaliste e “The Voice of Albania”, tregon: “Eksperienca ime këtu ka qenë vërtetë fantastike. Jam njohur me profesionistë që i kisha parë vetëm në televizor dhe tani punoj me ta. Sigurisht që dua të fitoj tani që kam ardhur deri në këtë pikë, por fitorja nuk është aq e rëndësishme sa eksperienca që kam marrë këtu. “The Voice” do më ndihmojë në promovimin tim.”
Dhe Alma për Borën: “Që në momentin e parë që i dëgjova zërin, e ktheva karriken për ta dëgjuar edhe më mirë. Është një këngëtare moderne. Jam shumë dakord që duhen zëra të fuqishëm, por koha po tregon se ka rëndësi edhe “gjetja”. Gjatë gjithë kohës jemi munduar që me Borën të bëjmë “gjetje”, të gjejmë këngë të bukura dhe që nxjerrin në pah potencialin e saj.
Bora është një këngëtare që ka gjithçka që i duhet një këngëtari sot.”
Top Channel