Konferenca e paqes për Sirinë

22/01/2014 00:00

Bisedimet e drejtpërdrejta mes qeverisë dhe opozitës siriane do të nisin të premten, në Gjenevë të Zvicrës. Takimi i së mërkurës, ku do të flisnin rreth 40 ministra të Jashtëm, përfundoi.

Në konferencën për shtyp, Ban Ki-moon foli për vuajtjet që po kalon Siria, të cilat duhet të përfundojnë njëherë e mirë.

“Së pari duhet të ndalet dhuna në të gjithë vendin, edhe nëse nuk arrihet kjo, armëpushimi i pjesshëm do të ishte shumë i dobishëm. I kërkoj qeverisë siriane, si masë mirëbesimi, si mënyrë për të treguar sinqeritet, të lirojë të burgosurit. Kjo do të ndihmojë procesin e pajtimit dhe të krijojë një atmosferë të favorshme, kur ata të ulen me grupet e opozitës”, tha Ban Ki-moon.

I dërguari i OKB-së dhe Ligës Arabe për Sirinë, Lakdar Brahimi, tha se do të bisedojë me qeverinë siriane dhe përfaqësuesit e opozitës ndarazi të enjten, gjë që – sipas tij – do t’i bëjë palët të takohen në të njëjtën dhomë, të premten.

Kjo do të jetë përballja e parë mes qeverisë dhe opozitës siriane, prej marsit të vitit 2011, kur dhe nisi konflikti.

“Kemi disa shenja të qarta se palët kanë vullnetin për të diskutuar çështje si, arritja te njerëzit në nevojë, lirimi i të burgosurve dhe armëpushimet lokale, por siguria është një komoditet shumë i rrallë në punën tonë”, tha Lakdar Brahimi.

Në konferencën për shtyp, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, nënvizoi se Deklarata e Gjenevës dhe thirrja për tranzicionin politik është në fokusin e samitit. “Askush nuk ka bërë më shumë për ta shndërruar Sirinë në magnetin e terroristëve, se sa Bashar al-Assad. Ne nuk mund ta shpëtojmë Sirinë me Bashar al-Assad-in në pushtet”, tha ai.

Qeveria siriane dhe dhe grupi kryesor opozitar shkëmbyen akuza të forta mes tyre, gjatë konferencës së paqes në Zvicër. Opozita dhe Shtetet e Bashkuara thanë se presidenti Bashar al-Assad ka humbur legjitimitetin dhe duhet të japë dorëheqjen.

Ministri i Jashtëm sirian, Walid Muallem, iu kundërvu Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon për kohëzgjatjen e fjalimit, duke thënë se ishte aty për të paraqitur versionin e Sirisë. Ai u bëri thirrje fuqive të huaja të ndalojnë dërgimin e armëve në vendin e tij.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se bisedimet nuk do të jenë të thjeshta dhe as të shpejta, por ka një përgjegjësi të madhe mbi shpatullat e të gjithë pjesëmarrësve”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA