Milanoviç: BE u vonua me Shqipërinë

20/01/2014 00:00

Në një intervistë ekskluzive për Top Channel, kryeministri kroat Zoran Milanoviç ka theksuar se BE-ja është e vonuar me Shqipërinë dhe se vendi i tij do të kontribuojë për të eliminuar paragjykimet brenda unionit.

Po ashtu, ai ka folur edhe për eksperiencën e vendit të tij në luftën ndaj korrupsionit dhe thekson se tashmë BE ka vendosur një kriter që do të jetë edhe për Shqipërinë. Me zotin Milanoviç bisedoi gazetari Muhamed Veliu.

M. Veliu: Kryeministër Milanoviç, mirëseerdhët ne Top-Channel.

Milanoviç: Jam i kënaqur që jam këtu. Kënaqësia është e gjitha e imja.

M. Veliu: Zoti kryeministër, çfarë synoni të arrini gjatë kësaj vizite ne Tiranë?

Milanoviç: Ne patëm bisedime shumë miqësore dhe produktive. Nuk kam ardhur këtu si një mentor, por si një mik. Miqësia jonë është jashtëzakonisht e mirë. Duam që ta ndihmojmë Shqipërinë të nisë negociatat me BE-në sa më parë që të jetë e mundur, pasi mendojmë se fillimi i këtij procesi tashmë është tejet i vonuar. Duhet të kishte nisur më parë. Ne kaluam shumë probleme dhe nuk e duam këtë për të tjerët.

M. Veliu: Si i shikoni përpjekjet e deritanishme te qeverisë Rama për sa i përket integrimit europian, që synon marrjen e statusit të vendit kandidat?

Milanoviç:
Unë s’jam një spektator. Nuk e ndjek atë ditë për ditë. Siç e thashë, ne do të bëjmë më të mirën nga ana jonë, paçka se kemi vetëm 1 votë në Këshillin e Ministrave. Ne do të jemi atje për të siguar që në asnjë mënyrë Shqipëria të jetë e ekspozuar ndaj paragjykimeve të cilat herë pas here i dalin përpara.

M. Veliu: Gjatë konferencës për shtyp deklaruat për vështirësitë që kaluat gjatë proceseve integruese. Si një vend tashmë anëtar i BE-së, cila do të ishte këshilla juaj për Shqipërinë në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar?

Milanoviç: Luftojeni, luftojeni, luftojeni! Pak fjalë dhe shumë veprime, pasi ndaj jush do të ketë një vlerësim rigoroz, pasi u vendosën disa standarde për Kroacinë gjatë procesit të negociatave. Është e vështirë që të tilla standarde të zbuten. Të gjitha arsyet përse BE duhet të nisë negociatat me Shqipërinë ekzistojnë për aq kohë sa ju jeni anëtar i NATO-s, që do të thotë se vendi ka një ushtri me standarde të NATO-s. Në të tilla kushte, të paktën ju duhet të nisni bisedimet me BE-në, gjë e cila nuk ka ndodhur ende. Nuk e meritoni të jeni subjekt i paragjykimeve, që për hir të së vërtetës një paragjykim i tillë ndaj jush eksziston në BE. Kjo na shqetëson dhe do të mundohemi ta eleminojmë.

M. Veliu: Cili është sekreti i suksesit të vëndit tuaj në luftën kundër korrupsionit?

Milanoviç: Ne do të shohim në analizën finale sa të suksesshëm kemi qënë. Qeveria ime tenton të jetë modeste në ato që thotë, duke mos folur shumë për luftën ndaj korrupsionit, por duke krijuar kushtet për institucionet që të punojnë qetësisht, të kenë procese të forta, të luftojnë evazionin fiskal, përfshirë mashtrimet, duke treguar shembuj se si vendi duhet të qeveriset. Nesë kemi qenë të suksesshëm apo jo, këtë do ta tregojnë zgjedhjet.

M. Veliu: A kanë të drejtë shqiptarët të jenë të mërzitur për mos pasjen e një vlerësimi të njëjtë nga BE, në një kohë kur Serbisë iu dha e drejta për nisjen e negociatave ndërsa Shqipërisë iu vonua dhënia e statusit?

Milanoviç: Unë nuk jam dakort me vendimin që u mor për Shqipërinë, por ai duhej të merrej në mënyrë unanime, kështu që një votë e abstenuar apo kundër çon në kolapsin e të gjithë strukturës. Mendimi im është se Shqipëria duhet të kishte nisur negociatat paralelisht me Serbinë, ose Serbia paralelisht me Shqipërinë. Dua ta përsëris se të qënurit i Shqipërisë vend i NATO-s e kualifikon atë të paktën të nisë negociatat dhe më pas le të shikojmë se çfarë sjell ky proces.

M. Veliu: A ekziston ndonjë kërcënim nga krijimi i mundshëm një republike serbe në veri të Kosovës, e cila mund të hapë kutinë e pandorës në Ballkan?

Milanoviç: Ne të gjithë kemi qënë pro bisedimeve mes Serbisë dhe BE-së. Ne kemi votuar dhe do ta mbështesim. Ne tentojmë të mos jemi paranojakë. Unë nuk shoh ndonjë kërcënim përreth.

Top Channel