Cani: Do të hiqet çmimi i referencës

20/01/2014 00:00

Qeveria premton se vitin tjetër do të heqë të gjitha çmimet e
referencës, që përdoren për llogaritjen e detyrimeve tatimore të
biznesit.

“Premtimi ynë është që vitin tjetër nuk do të ketë çmime reference. Megjithatë ne jemi të hapur, që edhe brenda këtij viti të rishikojmë disa prej tyre, në rastet kur ju keni pretendime dhe na faktoni se ato janë abuzive dhe larg realitetit të çmimeve reale në treg”, tha ministri i Financave, Shkëlqim Cani.

Vec referencave, një nga shqetësimet e ngritura më fort nga biznesi ishte informaliteti i lartë dhe pastrimi i administratës fiskale nga zyrtarët e korruptuar. Një çështje për të cilën Qeveria pranoi se po has vështirësi.

“në fillim duhet t’i kapësh ata që janë të korruptuar, pastaj të veprosh. Por t’i kapësh ata nuk është edhe aq e lehtë sepse janë shumë të organizuar. Ju e dini, ne kapëm disa raste flagrante, që ishin shumë evidente dhe personat që i bënë sot janë jashtë. Ky është realiteti. Lufta ndaj informalitetit dhe korrupsionit nuk mund të fitohet brenda pak ditësh apo edhe muajsh, por do të marrë vite dhe fatkeqësisht kjo nuk është e mirë për Shqipërinë”, tha Cani.

Këto deklarata ministri Cani i lëshoi në forumin ekonomik të organizuar nga shoqata e investitorëve të huaj, ku ishin të pranishëm bizneset më të mëdha të huaja që kanë investuar në Shqipëri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA