Situatë dramatike në energji

18/01/2014 00:00

Zëvendëkryeministri Niko Peleshi deklaroi se situata në sektorin
energjetik është dramatike, ku vetëm vjedhjet arrijnë mbi 150 milionë
euro në vit.

Zoti Peleshi tha se Qeveria ka nisur një aksion të gjerë kombëtar për evidentimin dhe goditjen e të gjithë subjekteve, që vjedhin energjinë elektrike, por i ka bërë thirrje edhe gjykatave që të bëjnë punën e tyre.

“Kjo veprimtari që po fillojmë tani me task forcën për humbjet e energjisë ka disa dimensione. Së pari, ka dimensionin e rëndësishëm të shëndoshjes të financavetë vendit, të buxhetit të vendit, por së dyti ka edhe një dimension për të vendosur drejtësinë në vend, për ta hedhur shtetin në anën e tyre që paguajnë rregullisht, të cilët vazhdimisht kanë qenë të sfiduar ndaj informalitetit”, tha Peleshi.

Së bashku me ministrin e Energjisë, Damian Gjinkuri, numri dy i Qeverisë ka drejtuar mbledhjen e parë të njësisë operacionale të ngritur për evidentimin e humbjeve të energjisë në rajonin e Durrësit.

“74 për qind e çoi Qeveria e kaluar borxhin dhe ne nuk e kemi më luksin të marrim borxh dhe të kalojmë momentin, duke u bazuar tek borxhet. Pra, sot nuk kemi rrugë tjetër përveç mirëadministrimit. Ju e keni dëgjuar, për këtë vit ne presim një kontribut, një mbështetje rreth 350 milionë dollarë nga FMN-ja dhe BB-ja, ndërkohë ne vetë humbasim 150 milionë dollarë nga vjedhjet e energjisë elektrike”, theksoi Peleshi.

Ministri i Energjisë, Gjiknuri tha se situata është tejet kritike dhe kërkoi evidentimin e hartës së atyre që nuk faturohen fare.

“Realisht problemi i energjisë është problem emergjent, pavarësisht nga mangësitë teknike që mund të ketë furnizimi, gjë që vjen edhe nga mungesa e parave për të investuar në rrjetin e shpërndarjes, që duhet ta kuptojmë edhe këtë, ka shkuar në pikën ku nuk mban më. Mjafton të shohësh vetëm shifrat për Durrësin, bëhet fjalë për mbi 100 milionë dollarë të vjedhura, të paarkëtuara gjatë gjithë këtyre viteve të fundit”, tha Gjiknuri.

Humbjet dhe abuzimet me energjinë jo vetëm që kanë gërryer për vite me radhë buxhetin e shtetit, por e kanë zhytur sektorin në një zinxhir borxhesh që arrin deri në 1 miliardë dollarë.

Top Channel