“Fund epokës së terrorit ndaj biznesit”   

18/01/2014 00:00

“Hallin që nuk ma zgjidh dot, të paktën ma qaj. Që do të thotë se jo çdo
problem i krijuar mund të zgjidhet si e kërkon një tatimpagues dhe ju
nuk jeni këtu që çdo problem ta zgjidhni si e kërkon një tatimpagues,
por jeni këtu që çdo problem ta zgjidhni si e kërkon ligji”.

Kryeministri Edi Rama në fjalën që zgjati 46 minuta kërkoi nga administrata tatimore nisjen e një epoke të re në marrëdhëniet me të gjitha bizneset, duke e quajtur atë një transformim historik.

Respekt dhe përkushtim ndaj biznesit. Këto dy fjalë u përsëritën disa herë nga kreu i Qeverisë në takimin me administratën tatimore nga të gjitha rrethet e vendit.

“Sipërmarrësit nuk janë as më shumë dhe as më pak, por njerëzit të cilëve të gjithë ju duhet t’i shërbeni. Çdo sipërmarrës duhet të ndjehet i respektuar dhe i frymëzuar pas kontaktit me ju. Askush nuk duhet të guxojë të shkojë të trokasë në derën e një fabrike, në derën e një ndërmarrje, në derën e një dyqani me kulturën e vjetër të shkelësit të lirive dhe të drejtave ekonomike”, tha Kryeministri.

Rama foli për disa sfida që ka kjo administratë, duke këmbëngulur në ndërtimin e një klime te re në marrëdhëniet shtet-takspagues.

“Nëse ka një sfidë që ne mund, duhet dhe me patjetër ta fitojmë brenda këtij viti, është sfida e transformimit rrënjësor të marrëdhënieve të administratës tatimore me tatimpagues. I kemi kërkuar kompanive të paguajnë 15 për qind tatimfitimi në raport me 10 për qind që paguajnë. Pra, i kemi kërkuar të rrisin kontributin e tyre për arkën e shtetit dhe kemi bërë shumë mirë. Por, në të njëjtën kohë, unë jam i vetëdijshëm, Qeveria është e vetëdijshme dhe secili nga ju duhet të jetë i vetëdijshëm, se përkundër rritjes së kontributit të tyre, ne duhet të rrisim shërbimin dhe cilësinë e shërbimit ndaj tyre”, tha Rama.

Kryeministri kërkoi me ngulm prej agjentëve tatimorë, që të bëjne kujdes në maksimum me kontrollet.

“Eshtë koha për të reduktuar drastikisht vizitat fiskale, trokitjet orë e pa orë në dyert e kompanive dhe në dyert e dyqaneve. Eshtë koha që regjimi i vizitave dhe i kontrolleve fiskale të racionalizohet dhe të jetë i njohur paraprakisht nga çdo biznes që kontrollohet”, theksoi Rama.

Ecejakeve të bizneseve me TVSH-në, Kryeministri premtoi se do t’i vijë fundi, duke paralajmëruar rishkruarjen e legjislacionit tatimor.

“Të arrijmë të menaxhojmë suksesshëm rimbursimin e TVSH-së nga thesari dhe të bëjmë rimbursimin e plotë brenda 60 ditëve për të mbyllur njëherë e mirë një epokë, ku një detyrim i qartë si drita e diellit në ligj, ai i rimbursimit të TVSH-së është anashkaluar në mënyrë absolutisht të papranueshme dhe të padurueshme. Përveç ligjit të ri të TVSH-së që do të na çojë në drejtimin e direktivës europiane dhe që do të mbërrijë në Qeveri në mes të shkurtit, ne kemi synimin që brenda gjashtë muajve të parë të rishkruajmë Ligjin mbi Tatimin për të Ardhurat, së bashku me udhëzimin përkatës si dhe ligjin për të gjitha procedurat tatimore”, tha Rama.

Kryeministri tha se te gjithe ata qe do ta përdorin detyrën në administratën tatimore dhe doganore për të ushtruar terror ndaj biznesit apo për përfitime personale, do të përballen me Prokurorinë.

Top Channel