Rama, takim me sipërmarrësit

17/01/2014 00:00

Për më shumë se dy orë kryeministri Edi Rama zhvilloi një bashkëbisedim pyetje-përgjigje me përfaqësues të biznesit, ku që në fillim tha se ka marrë fund koha kur biznesit i mbyllej goja prej xhandarëve të tatimeve. Ka qenë një nga arritjet më të mëdha të 100 ditëve tona, që sipërmarrjes i ka ardhur goja theksoi kryeministri.

“Duke vendosur figurën e sipërmarrësit aty ku i takon, në atë piedestal që i takon, do të bëjmë që edhe sjellja e politikës, edhe sjellja e qeverisë, edhe sjellja e administratës të ndryshojë. Që të mos guxojë më një tatimor të shkojë tek dera e sipërmarrjes, sikur shkon në një zonë ku vidhet, në një zonë ku abuzohet, në një zonë ku bëhen vetëm të këqija dhe ku një nëpunës i zakonshëm i shtetit mund ta trajtojë një biznesmen si ta kishte skllav. Kjo është domosdoshmëri për ne. Ne do ta bëjmë, siç e kanë gjithë vendet e tjera, ku sipërmarrësit janë njerëz të nderuar dhe të respektuar dhe nuk janë mish për gjueti shtrigash në asnjë nivel”, deklaroi Rama.

Rama u kërkoi përfaqësuesve të biznesit të reagojnë për çdo sjellje e për çdo arbitraritet, duke theksuar se qeveria nuk mund ta bëjë e vetme luftën kundër padrejtësive me të cilat përballen bizneset.

“Ne nuk mund ta bëjmë të vetëm luftën kundër korrupsionit në tatime. Ne nuk mund ta bëjmë të vetëm luftën kundër arbitraritetit në tërësi. Ne nuk mund t’ju mbrojmë ju të vetëm, këtu nga maja, nga çdo sjellje dhe nga çdo qasje që bie ndesh me ligjin dhe bie ndesh me detyrimin për t’u sjellë brenda gjithë normave të edukatës me ju. Do ta bëjmë bashkarisht. Ne nuk kërkojmë gjë tjetër nga ju, përveçse të vini në dijeni qeverinë. Mos kini frikë se do t’ju vijë të nesërmen një gjobë, se nuk do të vijë gjobë, do të vijë një falënderim”, premtoi Rama.

Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë bashkëbisedimit me përfaqësuesit
e biznesit se Qeveria do të ndërhyjë për të çmontuar monopolin e
pullave fiskale.

“Së shpejti do të avancojmë edhe me disa koncesione që janë kthyer në problem. Ai i pullave fiskale është një problem shumë i madh sepse nuk ka garantuar asnjë lloj ndryshimi cilësor të këtij shërbimi. Eshtë një situatë e papranueshme. Ministria e Zhvillimit Ekonomik pothuajse është në përfundim të studimit dhe shumë shpejt qasja e zgjedhur do të jetë publike dhe ne do të japim propozimin tonë për Parlamentin”, tha Rama.

Kreu i Qeverisë paralajmëroi se nuk do të tolerohet askush nga biznesi që do të vijojë së mashtruari me bilance të rreme.

“Ato dy bilance, tre bilance i bëni vetë ju. Ato probleme të mëdha që ndeshen në hendekun se çfarë i tregoni bankave, cfarë i tregoni shteti nuk i krijon ndonjë nga ata ekstremistët në Europë.Ne duhet të jemi të gjithë së bashku të bindur që koha e tallavasë me financat ka mbaruar. Ne përfaqësojmë shtetin që ka detyrimin të mos lejojë tallavanë me bilancet dhe me ato historitë e tjera që ju i dini më mirë”, tha Rama.

Interesit të biznesmenëve për mënyrën se si do të shlyhen borxhet, Kryeministri Rama sqaroi se për këtë çështje do të ngrihet një komision për t’i dhënë hakun gjithësecilit.

PD: Rama tallet me biznesin
Takimi me sipërmarrësit, akuza kolektive dhe asgjë konkrete

Partia Demokratike i ka cilësuar një farsë premtimet që kryeministri Edi Rama i bëri të premten biznesit, në një takim që zgjati disa orë.

Në një deklaratë për mediat, deputeti Aldo Bumçi akuzoi shefin e qeverisë se po u heq kompetencat institucioneve shtetërore, duke ua dhënë ato privatëve për të plotësuar interesat e tij.

“Rama thotë se biznesmenët falsifikojnë bilancet dhe të tjera shifra deklarojnë në banka. Rama hapi konkursin për gjetjen e proçedurës më idiote dhe me fuqinë që i ka dhënë Zoti do heqë proçedurat më idiote. Rama i dha fund tallavasë me financat dhe u dha kompanive mundësinë që nëse nuk duan të kontrollohen nga institucione shtetërore të kontrollohen nga ato private, në një kohë kur këto të fundit janë vetë subjekte të kontrollit tatimor”, deklaroi Bumçi. 

Top Channel