Rafineritë ilegale të naftës

17/01/2014 00:00

Ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuiri i kërkoi Inspektoriatit Qendror Teknik të mbyllë sa më parë rafineritë ilegale të naftës në vend. Sipas Gjiknurit, disa biznese me aktivtet riciklimin e vajrave kanë filluar të prodhojnë naftë jashtë standarteve dhe në mënyrë të paligjshme.

“Është problemi i rafinerive ilegale. Në Shqipëri ka plasur fenomeni gjatë viteve të fundit, edhe me ndryshimet që janë bërë në ligj, që fatkeqësisht kanë krijuar hapësirë për ndërtim e gjoja impiantesh riciklimi, por që si qëllim në vetëvete kanë marrjen e naftës bruto dhe përzierjen e saj për lëshimin e produktit në treg. Kjo nuk do të lejohet më. Po përgatisim ndryshimet ligjore që kjo industri të kalojë nën kontrollin e plotë të shtetit dhe ju si inspektoriat duhet të ushtroni të gjitha kompetencat që ju jep ligji për të goditur këtë fenomen”, deklaroi Gjiknuri.

Ministri i Energjitikës tha se kontrollet duhet të shtrihen edhe në tregun e gazit, por edhe atë të energjisë elektrike. Vitin e kaluar Inspektoriati Qendror Teknik zhvilloi 3.400 kontrolle, duke vënë penalitete në shumë raste.

“Duhet të përgatitet në kohën e ardhshme edhe kodi i miratuar elektrik, standardet elektrike. Të çertifikohen organet që do ta bëjnë këtë dhe inspektoriati do të ketë autoritetin për të mbikëqyrur këto standarde. Standardet industriale janë shumë të rëndësishme për jetën e qytetarëve dhe vendin”, nënvizoi Gjiknuri.

Top Channel