Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, theksoi se homoseksualët janë të mirëpritur në Sochi, për Lojrat Olimpike Dimërore, por ai i paralajmëroi ata se mund të përballen me pasoja nëse shndërrohen në “propagandues”.
“Ne nuk i kemi ndaluar marrëdhëniet seksuale jo-tradicionale. E vetmja gjë që kemi penguar është ndalimi i propagandës pro-homoseksualitetit dhe pedofilisë midis minorenëve”, deklaroi Putin, i cili është vendosur vazhdimisht në qendër të kritikave të shoqatave “LBGT” dhe disa shteteve perëndimore, për shkak të disa ligjeve diskriminuese të miratuara gjatë presidencës së tij.
Komenti i Putin u bë në Sochi, përballë disa vullnetarëve që do të ndihmojnë me mbarëvajtjen e lojrave që nisin në muajin Shkurt.
Pavarësisht garancive të Putin, disa lidera shtetesh kanë konfirmuar mungesën e tyre në këtë aktivitet, për shkak të karakterit homofobik të disa ligjeve të reja të miratuara nga Parlamenti Rus gjatë 2013-s.
Një ligj mbi mbrojtjen e fëmijëve ndalon përhapjen e informacioneve mbi homoseksualitetin për këdo nën moshën 18-vjeçare.
Kundravajtësit mund të përballen me gjoba deri në 120 dollarë për individë e deri në 25 mijë dollarë për organizata.
Presidenti rus, gjithashtu ofroi garanci për sigurinë e plotë gjatë Lojrave Olimpike, pavarësisht shpërthimeve vdekjeprurëse të Volgogradit në fund të Dhjetorit dhe thirrjeve të militantëve islamikë të Kaukazit për të shënjestruar këtë aktivitet sportiv.
Top Channel