Gjeneva 2, Kerry fton sërish opozitën siriane

17/01/2014 00:00

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka bërë thirrje ndaj opozitës siriane, që t’i bashkohet bisedimeve për paqe të javës së ardhshme.

Grupi kryesor politik i opozitës, Koalicioni Kombëtar Sirian, do të takohet në Stamboll ditën e premte, për të votuar nëse do të shkojnë apo jo në bisedimet e Gjenevës.

Kerry theksoi se synimi i të ashtuquajturave bisedime të Gjenevës 2, është nisja e procesit të formimit të një qeverie tranzicioni për t’i dhënë fund luftës në Siri.

Konflikti 3-vjeçar atje ka marrë jetët e më shumë se 100,000 personave. Afro 2 milionë njerëz janë larguar nga vendi, ndërsa rreth 6,5 milionë të tjerë janë zhvendosur brenda tij.

“Shtetet e Bashkuara bëjnë thirrje për një votë pro pjesëmarrjes”, tha Kerry përpara takimit të Koalicionit Kombëtar Sirian. Ai e përshkroi konferencën e paqes së 21 Janarit në Zvicër, si nisjen e një procesi “që shënon mundësinë më të mirë për opozitën në arritjen e objektivave të popullit sirian dhe revolucionit”.

“Këto bisedime janë për krijimin e një procesi thelbësor në formimin e një trupe qeverisëse tranzicionale, me pushtet të plotë ekzekutiv, të krijuar me pëlqimin e ndërsjelltë”, shtoi Kerry. “Është e vetmja rrugë për t’i dhënë fund një lufte civile, që ka shkaktuar një nga fatkeqësitë më të rënda humanitare të planetit, dhe që ka krijuar kushtet e nevojshme për përhapjen e ekstremizmit”.

Kerry theksoi se vetëm njerëzit “me dakordësinë e të dyja palëve, opozitës dhe regjimit” do të merren në konsideratë për një rol në qeverinë e ardhshme të tranzicionit.

Një zyrtar i Këshillit Kombëtar Sirian tha për reporterët, në fillim të javës, se ishin informuar privatisht se Britania dhe Shtetet e Bashkuara do të rimendonin mbështetjen e tyre ndaj opozitës, nëse kjo nuk do të merrte pjesë në bisedimet e paqes. Opozita siriane, në fakt, është thellësisht e përçarë.

Edhe pse Koalicioni Kombëtar shihet gjerësisht nga jashtë si përfaqësuese legjitime e popullit sirian, ka edhe disa aleanca të tjera opozitare dhe grupe rebele të fuqishme islamike, të cilat refuzojnë të njohin autoritetin e SNC-së.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm sirian, Walid Muallem, ka nisur bisedimet me homologët e tij nga Rusia dhe Irani, të cilët vijojnë të mbeten aleatë të Damaskut, gjatë një takimi në Moskë.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se nuk ka pasur asnjë axhendë të fshehtë për takimin e tyre. “Kjo nuk nënkupton se ne kemi një draft-marrëveshje për paqen, të hartuar nga 3 palët e përfshira”, tha ai për reporterët.

Lavrov vijon të mbetet këmbëngulës për idenë e tij se Irani duhet të jetë pjesë e bisedimeve të paqes, por Kerry ka thënë se Teherani duhet fillimisht të pranojë atë që u arrit në bisedimet e Gjenevës 1, që bën thirrje për tranzicion politik në Siri.

Porti Gioia Tauro në Itali, ku priten të depozitohen përkohësisht ngarkesat me lëndë kimike siriane, në pritje për t’u transportuar më pas në anijen amerikane për t’u shkatërruar. Kryebashkiaku italian akuzon për moskonsultim.

Top Channel