Armët kimike të Sirisë në Kalabri

16/01/2014 00:00

Ashtu siç pritej, mbërriti sot lajmi mbi portin italian ku do të sillen armët kimike siriane, të cilat aktualisht ndodhen të depozituara në 1.500 kontenier në bordin e anijes daneze “Arc Futura”.

Agjencia e Lajmeve “ANSA” bën të ditur se në portin Gioia Tauros të Kalabrisë do të kryhet operacioni i spostimit të armëve nga anija daneze në anijen amerikane “Cape Ray”.

Ky mjet lundrues do të kryejë në ujëra ndërkombëtare shkatërrimin e tyre permes procesit te hidrolizës.

Burime të qeverisë italiane bëjnë të ditur se në portin kalabrez do të shkarkohen 570 ton agjentë kimikë, por shtojnë se çdo ditë në portet italiane qarkullojnë 2 000 tonë agjentë kimikë me të njëjtën rrezikshmëri.

Megjithatë, në vend pati debate dhe protesta nga ana e administruesve lokalë, të cilëve shefja e diplomacisë italiane Emma Bonino iu përgjigj se nuk bëhen polemika lidhur me angazhimet ndërkombëtare të marra nga vendi.

Ndërsa Italia po respekton ofertën e bërë në muajin Dhjetor për të ndihmuar në shkatërrimin e arsenalit kimik sirian, kreu i Organizatës për  Parandalimin e Armëve Kimike, Ahmet Uzumçu deklaroi se procesi i shkatërrimit të tyre do të përfundojë vetëm në fund të Qershorit.

Diplomati i lartë turk, i cili ndodhet në Romë për takime me përfaqësues të qeverisë italiane, shpjegoi se vonesat kanë ardhur si pasojë e problemeve teknike dhe vështirësive të dukshme në zonat e konfliktit.

Largimi i lëndëve më të rrezikshme kimike është hapi i parë i marrëveshjes së mbështetur nga OKB, për të eleminuar arsenalin e armeve kimike të Sirisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA