
“Më herët se kurdo tjetër, këtë vit do të nisim me një pasion dashurie.” Këto janë fjalët e Abigeila Voshtina, drejtoresha artistike e TKOB-së.
E çel me operan “Toska” sezonin e ri artistik TKOB-ja, nga 14 janari. Një javë më pas, baleti “Zhizel” me pjesëmarrjen e veçantë të balerinëve të “La Scala”: Petra Conti dhe Eris Nezha.
Sipas drejtuesve të institucionit, hapësira speciale do t’u dedikohen të rinjve në eventet artistike, si pjesë përbërëse e tyre, por edhe si spektatorë me lehtësira ekonomike.
“Jemi shumë të kujdesshëm që të kemi një edukim të drejtpërdrejtë, jo vetëm me nxënësit që studiojnë artin, por edhe me shkollat e tjera. Do i japim mundësi shkollave që të futen falas në provat gjenerale. Dëshira jonë e madhe është të fusim të rinjtë në teatër”, shpjegon Voshtina.
Një tjetër qëllim është dhe njohja e afrimi i brezave të rinj me folklorin vendas: “Do të ketë disa koncerte të Ansamblit Popullor të Këngëve dhe Valleve. E mira është që brezat e rinj të njohin folklorin tonë.”
Top Channel