Shqipëria “mesatarisht e lirë”

14/01/2014 00:00

Gazeta prestigjioze “The Wall Street Journal” dhe Fondacioni Heritage
kanë publikuar raportin mbi Indeksin për Liritë Ekonomike në botë dhe
Shqipëria renditet e 25 mes 43 vendeve të rajonit të Evropës, ndërsa në
klasifikimin global ajo është mbi mesataren botërore, në vendin e 54.

Sipas raportit një pikë e dobët për liritë ekonomike në vend vazhdon të mbetet lufta kundër korrupsionit dhe e drejta e pronës.

Shqipëria ka 66,9 pikë në klasifikimin me 100 pikë të Indeksit për Lirinë Ekonomike për vitin 2014 duke u radhitur e 54-ta në botë.  Shqipëria renditet e 25 në mesin e 43 vendeve të rajonit të Evropës ndërsa në klasifikimin global ajo është mbi mesataren botërore.

Në historinë 20-vjeçare të këtij Indeksi , Shqipëria ka përparuar në klasifikimin e lirive ekonomike me rreth 17 pikë, duke u renditur mes 20 vendeve me përmirësimet më të mëdha.

Me rritjet e shënuara në nëntë nga 10 kategoritë e lirive ekonomike, Shqipëria është ngjitur gradualisht në kategorinë “mesatarisht e lirë” duke çaluar ende në kategorinë e të drejtës së pronës.

Sipas raportit, reforma të rëndësishme strukturore kanë përfshirë liberalizimin e tregtisë, privatizimin, zbatimin e taksës së sheshtë konkurruese, si dhe modernizimin e mjedisit rregullator .

Megjithatë, në aspektin e zbatimit të ligjit, raporti thekson se gjyqësori mbetet subjekt i ndërhyrjeve politike  dhe se reforma më të thella institucionale për të çrrënjosur korrupsionin e vazhdueshëm dhe rritjen e pavarësisë së gjyqësorit janë kritike për të siguruar një liri më të madhe ekonomike në Shqipëri.

Mjedisi rregullator i dobët, me rregulla të zbehta të prokurimit, një kulturë e mosndëshkimit dhe ndërhyrjet politike, e bëjnë të vështirë për gjyqësorin të merret me korrupsionin në nivele të larta dhe që është rrënjosur thellë në Shqipëri, një vend që po ashtu shërben si tranzit për trafikimin e qenieve njerëzore dhe armëve të paligjshme dhe narkotikëve.

“Mbrojtja e të drejtave të intelektuale është e dobët dhe Shqipërisë, ende i mungon një sistem i qartë i të drejtave pronësore, veçanërisht për pronësinë e tokës. Së bashku me mbajtjen e inflacionit në nivele të ulta, është arritur gjithashtu një stabilitet më i madh monetar”, thotë raporti.

Rritja e defiçitit fiskal gjatë viteve të fundit, ka rritur borxhin publik përtej kufirit ligjor të vendosur në vitin 2008. Shpenzimet qeveritare, thotë raporti, qëndrojnë në nivelin e 28.5 për qind të PBB-së. Ngadalësimi i ekonomisë së vendit ka sjellë presione të brendshme për financat publike, duke e shtyrë borxhin publik në 61 për qind të PBB-së.

Niveli mesatar i tarifave në Shqipëri është përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme,thotë raporti, nga 5.1 për qind në 1.3 për qind.Vendi zyrtarisht mirëpret investimet e huaja, por burokracia dhe mbrojtja e pamjaftueshme e të drejtës së pronës dekurajon investimet. Sistemi financiar mbetet relativisht i zhvilluar mirë dhe i qëndrueshëm megjithë mjedisin e jashtëm sfidues. Sektori bankar është i mbikëqyrur mirë, por përqindja e kredive problematike ka qenë në rritje.

Klasifikimi i përgjithshëm i Shqipërisë është rritur me 1.7 pikë nga një vit më parë, me përmirësime të dukshme në lirinë e investimeve dhe atë të tregtisë.

PD: Qeveria fsheu raportin

Partia Demokratike, duke iu referuar raportit për lirinë ekonimike, ku Shqipëria ka bërë përmirësime gjatë vitit 2013, akuzoi Qeverinë se e ka fshehur këtë raport pikërisht për shkak të përmirësimit të këtij treguesi.

“Shqiperia ka permiresuar ndjeshem 9 nga 10 lirite ekonomike dhe reformat e saj të shquara perfshijnë liberalizimin e tregtise, privatizimin, prezantimin dhe zbatimin e nje takse te sheshte kompetitive, permiresimin e mjedisit rregullator, inflacion te  ulet si edhe stabilitet monetar.Gjetjet objektive dhe pa mllefe politike të ketij raporti prestigjioz perdoren dhe analizohen gjërësisht nga institucionet financiare botërore, por cuditerisht jo nga qeveria shqiptare e cila eshte perpjekur ta mbaje larg syve dhe vesheve te publikut nje raport që i ben nder Shqiperise, por që, ne të njejten kohe, njeh meriten e padiskutueshme te qeverise së meparshme te demokrateve ne te gjitha këto arritje kolosale. Për qeverinë e sotme, Shqiperia eshte nje vend ne krize, nje vend ku 91% e shqiptareve nuk paguakerkan energjinë elektrike, një vend pa liri ekonomike, një vend pa institucione demokratike, nje vend me nje milion te papune qe madje as zyra pune nuk ka”, tha deputeti demokrat Florion Mima.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta