Kriza sociale e pensioneve

14/01/2014 00:00

Ekspertët thonë se ndërhyrja në skemën e pensioneve është e domosdoshme
jo vetëm për shkak të deficitit të madh financiar, por edhe për një
arsye tjetër. Atë të shmangies së një krize të thellë sociale që po
prodhon sistemi aktual.

“Duke i hedhur një sy popullsisë aktive që bëhet rreth 1.8 milionë banorë,rreth 560 mije vete kemi në skemën e sigurimeve shoqërore. Ka një kontigjent jashtëzakonisht të madh të personave të pasiguruar ne skemën e sigurimeve shoqërore, të cilët kur të arrijnë moshën e pensionit, nuk do të jenë në gjendje për të marrë një pension. Pikërisht kolona zero iu shërben këtyre personave, për t’i garantuar një pension jetese”, tha Naim Hasa, ekspert i skemës së sigurimeve.

Banka Botërore vlerëson se në të ardhmen mbi 56 për qind e të moshuarve në Shqipëri s’do mund të përfitojnë pension, pasi nuk janë kontribues. Kjo imponon gjetjen e një zgjidhjeje, e cila për Qeverinë do të jetë pensioni social.

“Presupozon dhënien e një pensioni për të gjithë personat që mbushin një moshë të caktuar, pavarësisht nëse janë të siguruar ose jo, kanë derdhur kontribut ose jo, të marrin një pension, i cili të jetë i barabartë me minimumin jetik ose pensionin bazë”, tha Hasa.

Por mbulimi me pensione edhe i atyre që nuk paguajnë kontribute, përveçse mund të inkurajojë informalitetin, ngre pikëpytjen e financimeve. Kush do e mbajë barrën shtesë?

“Në fillesat e saj ka njëfarë rritje të këtyre shpenzimeve. Sigurisht është Qeveria ajo që na ballancën e përgjithshme ekonomike që ka, do të bëjë diferencimet e veta për zhvillimin e këtyre skemave. Janë ato që në momente të caktuara japin prioritete të caktuar, një lloj takse apo një lloj detyrimi”, theksoi Hasa.

Qeveria ka lajmëruar se brenda shkurtit do të nisë diskutimet publike për reformën. Ministria e Punës thotë se drafti bazohet mbi sugjerimet e Bankës Botërore, por deri më tani ka qenë e rezervuar të bëjë publike se çfarë përmban ai në detaje dhe se si do të jetë e ndërtuar skema e re e pensioneve. A do të jetë ajo tërësisht shtetërore, apo do të përfshijë edhe skemat private të detyrueshme?

Top Channel