Lehtësirat për biznesin

13/01/2014 00:00

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj sqaron në një intervistë për Top Channel se çfarë lehtësish do të sjellë për biznesin marrëveshja e bashkëpunimit tregtar mes Shqipërisë dhe Kosovës, që u firmos nga dy qeveritë në Prizren.

“Një nga elementët kryesorë është afrimi i portit të Durrësit si porti i tregut kosovar, ku të gjithë importuesit nga Kosova do kenë vetëm një proçedurë kontrolli në doganën shqiptare. Kjo ul kohën e vonesës për kompanitë”, deklaron Ahmetaj.

Veç heqjes së kontrolleve të dyfishta, në marrëveshje parashikohet edhe harmonizimi i legjislacionit tregtar mes dy vendeve, që lehtëson barrierat jotarifore.

“E dyta ka të bëjë me institucionet e akreditimit dhe një nga kapitujt e marrëveshjes fokusohet atje, në ndihmë të institucioneve kosovare, që do mundësojë lehtësimin e të bërit tregti mes dy tregjeve”, saktëson Ahmetaj.

Por marrëveshja tenton t’i japë zgjidhje edhe një tjetër çështjeje, që jo rrallë ka qenë burim përplasjesh tregtare mes dy vendeve. Ajo e çmimeve referencë, të cilat nuk do të vendosen më në mënyrë të njënashme, por do të jenë të harmonizuara.

“Kjo do të na ndihmojë që referencat të jenë transparente dhe afër ose në përputhje me çmimet reale të mallrave, në mënyrë që importimi në tregun kosovar dhe anasjelltas të mos jetë i diskriminuar”, shton Ahmetaj.

Dy ditë më parë, në Prizren, qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës u mblodhën për herë të parë së bashku për të vendosur piketat e bashkëpunimit mes dy shteteve të kombit shqiptar.

Top Channel