Gara për drejtorin e ri të TK

13/01/2014 00:00

Tre kandidatët për postin e drejtuesit të Teatrit Kombëtar: Edmond Budina, Hervin Çuli dhe Laert Vasili bënë të ditura pikat kryesore të platformave të tyre të paraqitura pranë Ministrisë së Kulturës.

“Duhet respektuar puna dhe njerëzit që do punojnë do shpërblehen më mirë. Teatri detyrimisht do të hyjë në logjikën e kontratave, atyre të përkohshme për të rritur cilësinë artistike”, thotë Budina.

“Ngrohja në radhë të parë, sepse teatri është vendi ku spektatori ngrin. Pra, akomodimin e shikuesve dhe atë të aktorëve që janë skandaloze. Unë propozoj një sistem me kontrata 1-vjeçare për aktorët, gjë që do të fuste TK në treg dhe do ta bënte më cilësor. Gjithashtu, unë propozoj edhe që në TK të punojnë vetëm regjisorë të kategorisë A. Pika ime e tretë është transparenca, nga fillimi deri në fund të spektaklit”, nënvizon Çuli.

“Teatri do të bazohet jo vetëm tek financimi shtetëror, por edhe tek të ardhurat nga biletat. Kështu rritet buxheti dhe ai do të rritet edhe sepse të gjithë aktorët e TK do të aktivizohen në pjesët e TK, nuk do ketë aktorë që paguhen dhe nuk aktivizohen. Me rritjen e buxhetit do të sjellim edhe specialistë të jashtëm që do të ndihmojnë në estetikën dhe etikën e TK”, thotë Vasili.

Sa i përket procesit të përzgjedhjes së drejtorit të ri, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro sqaron: “Është hera e parë që zhvillohet konkursi. Vendosa që para se të arrija tek kandidatët të zhvilloja një debat publik, nga i cili mora mendimet e ekspertëve që bashkë me të mijat mundësuan krijimin e një platforme kriteresh. Ishte një proces serioz dhe patëm intervista rreth 2 orë me secilin kandidat. Platformat janë publike dhe mund të konsultohen”. Sipas ministres Kumbaro, emri i kandidatit fitues do të bëhet i ditur javën e ardhshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA